Drejtori i Kufirit për grabitjen në Rinas: Policia ishte aty

Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Brendshme e ka konfirmuar vetë se, policët kanë qenë fare pranë vendit ku ndodhi grabitja, por sipas tij nuk kanë pasur fushëpamje. Ky pohim i drejtorit të Kufirit dëshmon se, në fushën e hapur të pistës së avionëve, policët nuk kanë arritur të dallojnë persona me maska dhe të armatosur që grabisin disa thasë me euro dhe ikin pa u shqetësuar nga askush. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi dje heshtjen e Ramës ndaj ngjarjes, 10 ditë nga pushtimi me armë i Rinasit, asnjë autor e asnjë përgjegjës. Përmes një deklarate për mediat Alibeaj tha se, Rama dështoi në përpjekjet e tij për ta lënë veten jashtë përgjegjësive, ndërsa faktet e publikuara nga opozita dëshmojnë tërësisht të kundërtën.
“Prej 10 ditësh, goditja më e rëndë e sigurisë kombëtare, pushtimi me armë e me maska i aeroportit të vetëm ndërkombëtar, është shoqëruar me heshtjen e plotë të Edi Ramës. Asnjë cicërimë prej tij, edhe pse ngjarja në mesditën e 30 qershorit në Rinas, konfirmoi rënien totale të shtetit, të çdo standardi sigurie në vend. U përpoq me metoda bizantine të gjente fajtorë e përgjegjës jashtë vetes, por dështoi pasi faktet e bëra publike nga opozita, nga mediat dhe nga zyrtarët e aeroportit, tregojnë se policia ka qenë vetëm disa metra larg grabitjes dhe nuk ka reaguar”, u shpreh Alibeaj.
Ndërsa citoi drejtorin e Kufirit në Ministrinë e Brendshme, i cili ka pohuar praninë e policëve në vendin ku ndodhi grabitja, Alibeaj theksoi se kjo ngjarje dhe rrethanat e saj dëshmojnë se shteti dhe siguria ka rënë.
“Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Brendshme e ka konfirmuar vetë se, policët kanë qenë fare pranë vendit ku ndodhi grabitja, por sipas tij nuk kanë pasur fushëpamje. Pra, në fushën e hapur të pistës së avionëve, policët nuk kanë arritur të dallojnë persona me maska dhe të armatosur që grabisin disa thasë me euro dhe ikin pa u hyrë ferrë në këmbë. Këto rrethana, kalimi i 10 ditëve pa gjetur asnjë autor, ngjarje të rënda të përsëritura në këtë aks që është një nyje strategjike, dëshmojnë rënien e shtetit, rënien e çdo standardi të sigurisë në këto 3 vite”, tha Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD renditi gjithashtu edhe arsyet se përse krimi është rritur në nivele të panjohura më parë.
“Arsyeja kryesore pse krimi arriti në këtë nivel të paimagjinueshëm, ka të bëjë me: rënien e ligjit në këto 3 vite, me sundimin e bandave, me krimin e veshur me pushtet dhe pushtetin e veshur me krim, me drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit, me trafikun e armëve, me inkriminimin e pikave kyçe të policisë, me faktin se kriminelë të njohur ulen në zyrën e ministrit të Brendshëm për ndërmjetësime private, me faktin se kriminelë, trafikantë, vrasës e përdhunues me Edi Ramën u bënë deputetë, kryetarë bashkie e shefa të zyrave publike. Janë të gjithë këto arsyet pse krimi goditi, sulmoi dhe pushtoi aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend. Janë të gjithë këto arsyet pse Shqipëria, me Edi Ramën, nuk është më një vend i sigurtë”, tha Alibeaj.

Arben Shahini