Dorëheqja e munguar e ministrit të Brendshëm

Andi PERMETI

Kaluan ditë nga vjedhja e miliona eurove në pisten e aeroportit dhe akoma s’kemi asnjë gjurmë të fajtorëve, akoma s’kemi asnjë vlerë të saktë të lekëve të vjedhura, s’kemi asnjë konkluzion se si ka mundësi që ditën për diell në pistën e aeroportit vidhen miliona euro. Por mbi të gjitha s’kemi asnjë dorëheqje të ministrit të Brendshëm për skandalin më të madh të ndodhur në Shqipëri vitet e fundit. Vetëm 1 ditë para vjedhjes në aeroport ndodhën sulmet kamikaze në aeroportin e Stambollit. Sulme që morën jetën e dhjetëra qytetarëve dhe plagosën qindra të tjerë. Si një vend anëtar i NATO-s ne morëm masa të përforcuara për të ruajtuar aeroportin. Masa që na u mburr vet ministri i Brendshëm në çdo televizion. Një mburrje që rezultoi si 1 qershori ku spidermen-et dhe batman-et e Tahirit gënjyen fëmijët se vërtet ka superheroj që i mbrojnë, vetëm që kësaj here të gënjyerit ishin gjithë shqiptarët që menduan se super masat mbrojnë të Tahirit do t;i mbronin nga çdo sulm terrorist.
Vetëm një ditë më pas tre veta hynë në mes të ditës në pistën e aeroportit nëpërmjet një dere të pashqetësuar, të armatosur, rrëmbyen miliona euro, dolën prap të pashqetësuar po nga dera që hynë, pavarësisht mburrjes së Tahirit për super masat e policisë kundra terrorizmit. A thua që policët e Tahirit i nuhasin terroristët dhe kush ska qëllime terrorizmi mund të vjedhë, të vrasë e të bëjë çtë dojë në aeroport i pashqetësuar nga super policët e Tahirit. Por historia nuk është kaq e thjeshtë. Si çdo dështim qeveritar në këto 3 vjet mediat e blera nga qeveria u sulën me propagandën tipike të perfeksionit vetjak dhe fajësimit të armikut të brendshëm. Kësaj here faji ishte i sigurisë së aeroportit, sepse ajo nuk kishte marrë masat e nevojshme, sepse policia super masat kundra terrorizmit i ka vetëm për t’u rrotulluar në terminal dhe që s’mund të kujdesej për pistën. Ligjërisht, moralisht, logjikisht madje edhe njerëzisht s’mund të jetë kështu. Po sikur ata që vodhen të ishin terroristë?? Po sikur ata të rrëmbenin një avion me pasagjerë dhe ta drejtonin drejt njërës prej kryeqendrave europiane duke shkaktuar një tragjedi të tipit të 11 shtatorit në Neë York. Çdo thoshte ministri i Brendshëm??? Do dilte do thoshte që ne super masat i kishim marrë dhe skemi faj, por faji është i securitit të aeroportit???? Do thoshte që s’është faji i policisë që terroristët zgjodhën të hyjnë nga gardhi rrethues, sepse po të ishin terroristë të mirë do hynin nga terminali i pasagjerëve???
Por edhe kjo alternative propaganduese e mediave të blera qeveritare u hodh poshtë kur zyrtarisht zëdhënësja e TIA deklaroi qe policia më së paku ka raportuar pasaktësisht ngjarjen-me pak fjalë sipas TIA policia po gënjen hapur mbi ngjarjen. Dhe më pas ka deklaruar që policia është njoftuar në momentin që hajdutët ishin ende në pistë dhe gjithashtu që punojësit e policisë ndodheshin në pistë vetëm pak metra larg vendngjarjes-me pak fjalë policia jo vetëm që gënjen hapur, por është edhe totalisht e paaftë (pavarësisht super masave kundra terrorizmit të marra nga super ministri i Brendshëm). Dhe akoma s’ka dorëheqje. Eshtë cenuar siguria kombëtare në një ditë ku pretendohet që janë marrë super masa mbrojtjeje kundër terrorizmit dhe gjithkush mund të rrëmbente një avion dhe të kryente akte terrorizmi i pashqetësuar nga askush. Atëherë imagjino ç’mund të ndodhë në një ditë me masa normale policore.
Siguria kombëtare është cenuar më shumë se kurrë kur më shumë se kurrë duhet të ishte e sigurt. Pra pavarësisht politikës, minimalisht gjithkush duhet të pranojë paaftësinë e këtij ministri dhe mungesën e sigurisë së gjithkujt nga policia. Njerëzit duhet të fillojnë të mendojnë për vetmbrojtje, dhe këtu fillon fundi i shtetit ligjor. Që kjo të mos ndodh ministri i Brendshëm më i paaftë në historinë e shtetit shqiptae duhet të japë dorëheqjen. Vetëm me këtë dorëheqje shqiptarët mund të shpresojnë të ndihen të sigurt.