Maradona mesazh Argjentinës: Nëse nuk fitoni, mos u ktheni

Finalja e Kupës së Amerikës, Argjentinë – Kili. Gjithçka si një vit më parë, por këtë radhë përfaqësuesja bardhekaltër nuk mund të gabojë. Dëshira për t’u hakmarrë për humbjen e trofeut nga goditjet e 11-metërshve është shumë e madhe. Pritshmëritë në kampin argjentinas janë të larta, sidomos nga një legjendë si Diego Armando Maradona, që u ka dërguar një mesazh Lionel Mesit me shokë. “Sigurisht që do të mposhtim Kilin në finalen e Nju Jorkut, sepse jemi më të fortë, por nëse nuk fitojmë, më mirë lojtarët të mos kthehen fare në shtëpi”, u shpreh Maradona.
Një deklaratë e dhënë në një atmosferë pozitive dhe me nota humori, por që gjithsesi ushtron jo pak presion te skuadra e Gerardo Martinos. Sepse një tjetër finale e humbur ndaj “La Rojas”, do të përjetohej si dramë në Argjentinë.
El Pibe De Oro është njeriu me më shumë influencë në opinionin sportiv në vendin latinoamerikan, ku akoma krenohen me periudhën e artë të përfaqësueses bardhekaltër në vitet ‘80. Janë mbushur plot 30 vjet nga çerekifinalja Argjentinë – Angli në botërorin e vitit 1986, që u zhvillua në Meksikë. “Dora e Zotit” dhe goli i mrekullueshëm i Maradonës, pasi shmangu 5 lojtarë anglezë, i konsideruar më i mirë nga FIFA për shekullin e 20-të, kanë hyrë në historinë e futbollit botëror. Edhe pse kanë kaluar dekada, mbeten një kujtim i paharrueshëm.