Ku ishte Rama më 28 prill, ora 13.00?

Në turravrapin e tij të harlisur për të vjedhur përmes betonizmit çdo hapësirë në këtë vend dhe sidomos në qendër të kryeqytetit, Kryeministri  i vendit,  Edvin  K. Rama nuk ndalet përpara asgjëje. Është faktuar tashmë se çdo investim i rëndësishëm që bëhet në këtë vend, si në Tiranë ashtu edhe në zonat me rëndësi turistike nuk duhet të kalojnë pa miratimin e Kryeministrit.
Ai është aty për të bërë biznes dhe për të cilin një raport i OSBE thoshte se ka fshehur në parajsat fiskale rreth 200 milionë euro.
Lajmi i parë i takimit është se Rama jo vetëm që ka miratuar kthimin tek plani belg për qendrën e Tiranës, por prej muajsh ka nisur bisedimet me ortakët për ndarjen  e kullave shumëkatëshe që do të ndërtohen . Pjesën humoristike ja ka lënë velinës së tij në Bashki që mundohet të luajë rolin e zëdhënëses lozonjare të shefit në qeveri duke paraqitur planet e rradhës për Tiranën, që as ai vetë nuk i di.
Më 28 prill Rama kishte një takim të rëndësishëm. Tek ngjiste shkallët e lokalit pranë pedonales, në qendër të Tiranës ku do të nisnin negociatat, jo për reformën në drejtësi, por për ndarjen e pazareve të kullave të reja që do të ndërtohen në qendër të Tiranës në bazë të planit të vjetër belg, Ramën e tradhëton eskorta me numër të shumtë e rojeve që siguronin kalim të sigurtë për shefin e tyre.
Pritësit ishin dy miq të vjetër të tij, por jo me pak halle në zgjidhjen e fjalëkryqit të biznesit të kullës 24 katëshe në qendër të Tiranës. Nuk është e lehtë ndërmarrja e një kulle 24 katëshe, aq më shumë kur miku i vyer i Kryeministrit dhe posedues televizioni është me dhimbje koke të kahershme sepse biznesi diku i ka ngecur.
Biseda duhet të ishte konfidenciale sepse flitej për para dhe për përqindje.
Lajmi i dytë është se Rama ka qenë mjaft i sinqertë në atë takim dhe mjaft i drejtpërdrejtë me bashkëbiseduesit; “Ju keni hallet tuaja për ti zgjidhur tek unë, edhe unë kam hallin tim për ta zgjidhur me ju”. Rama është i prerë. Ai i kërkon ndërtuesve 25% të vlerës së kullës 24 katëshe në këmbim të lejes së zhvillimit. Kjo nuk është e papritur për ndërtuesit, por kostoja është shumë e lartë për ta. Një firmë e Ramës në këtë rast kushton 6 kate.

Përse lajmi del tani me afro dy muaj me vonesë?

Arsyeja ka të bëjë me zhvillimin e ngjarjeve dhe me sanksionimin e planit për të mos u kthyer më pas. Rama tashmë e ka dhënë miratimin e tij, por probleme ka mes vetë ndërtuesve, pronësisë së tyre dhe përqindjeve të intersit që do të ndajnë mes tyre. Një tjetër hall që i prukupon është edhe reagimi i opozitës dhe opinionit. Në këtë rast Rama i ka dalë garant. “Ju e patë me parkun se si shkoi puna. Ata i zbytha. E njëjta gjë do të ndodhë edhe tani. Do të bëhet zhurmnë disa ditë, pastaj ne vazhdojmë projektin”, ka qenë reagimi i Ramës.
Është një godinë, e cila pritet që të nisë ndërtimin në kundërshtim me të gjitha ligjet urbane, pasi sipërfaqja e shfrytëzimit do të arrijë në 80% të sipërfaqes së truallit duke mbuluar të gjithë hapësirën.

Studio “51N4E” e hetuar në Bruksel

Studjoja “51N4E2, e cila fitoi këtë plan është lakuar nga shtypi si një ndërmarje belge që mban lidhje okulte me Kryeministrin Rama. Gazetat belge shkruan në fillim të prillit se Peter Sëinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve Flamanë, këshilltar i Qeverisë Flamane dhe themelues i studios “51N4E” po hetohet për shkak se një tender, sipas nismës “Atelier Albania” të Edi Ramës, ia ka dhënë një miku të tij në konflikt interesi, edhe ai i njohur i Kryeministrit shqiptar. Po kjo studio belge planin e së cilës Veliaj thotë se do të kthejë për qendrën e Tiranës është edhe ndërtuesja dhe projektuesja e vilës personale të Kryeministrit në Surrel.

Kritikët

Në vitin 2008, prapë me anë të një konkursi ndërkombëtar, Rama aprovoi një tjetër plan për qendrën e Tiranës. Kthimin e saj në pedonale. Konceptimin e saj në formë piramidale kulmi i së cilës ishte në mes të sheshit “Skënderbej” dhe një kullë gjigante publike mes 15-katëshit dhe Muzeut Historik. Ja ç’thoshte për këtë plan në momentin e miratimit urbanisti Enver Faja: “Sheshi “Skënderbej” me formë piramide, veshur me pllaka guri, e kthen sheshin në një Sahara betoni. Literatura shkencore rekomandon që sipërfaqja e çdo lloj sheshi qoftë, duhet të jetë e rrafshët ose në të kundërt konkave dhe jo kunvekse, sepse pritet në disa pika shikimi i plotë i kateve përdhe të ndërtesave dhe ansambleve që rrethojnë sheshin. Shpjegimi apo interpretimi që i bëhet kësaj forme piramidale në majë të së cilës do të qëndrojë tashmë qytetari i lirë, është një demagogji shterpë dhe ironike që ngjason me dogmat e komunizmit në art dhe arkitekturë: “socialiste nga përmbajtja dhe kombëtare nga forma”. Po Faja këmbëngulte se duke ngritur një kullë të madhe në mes të bulevardit ndërpritet fushëpamja karakteristike të tij dhe qyteti i largohet parimit themelor mbi të cilin atë e konceptoi arkitekti i madh italian Brazini. “Ndërtimi i një kulle qytetare që nënkupton Bashkinë e qytetit, mbyll hapësirën e bulevardit “Zogu i Parë” që është hap fatal i këtij projekti. Mbylljen e hapësirës së bulevardit të madh e konsideroj një Atentat kundër qytetit”, vinte alarmin ai.

Arben SHAHINI