Thellohet skandali, administratorja ka dhunuar edhe dy fëmijë të tjerë

Skandali me administratoren e kopshtit “Diren” duket se po thellohet edhe më tej. Anjeza Shabani, që u la në burg dje nga gjykata, akuzohet edhe për dhunimin e të paktën dy fëmijëve të tjerë. Kështu, burime brenda grupit hetimor të çështjes, konfirmojnë në mënyrë jozyrtare se ndaj 32-vjeçares, ish-gazetare e emisionit “Alarm”, janë bërë dy kallëzime të reja nga dy prindër të tjerë që dërgonin fëmijët në këtë kopsht. Sipas kallëzimeve, prindërit pretendojnë se Shabani ka dhunuar fëmijët e tyre.
Drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra tha dje se, ditën e hënë emisioni investigativ “Stop” do të zbardhi të tjera dëshmi të dhunës së fëmijëve të tjerë nga drejtoresha Anjeza Shabani në mjediset e kopshtit. “Kemi pasur një periudhë prej dy javësh të bindnim babain e djalit që të realizojmë një kamer të tillë, po ashtu ne u munduam ta bindim që ai të mos bëjë një hakmarrje individuale. Unë i thashë çdo reagim tjetër është diçka që nuk është në favorin tuaj, por ju duhet t’ia lini gjithçka në dorë drejtësisë”, thotë Kodra.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës la në burg pa afat administratoren e kopshit “Diren”, Anjeza Shabani, e cila akuzohet për keqtrajtimin e një fëmije 3-vjeçar. Shabani ka pranuar dhunën duke u shprehur se ky ishte rasti i vetëm që ka qëlluar një fëmijë në kopsht. Ajo i ka kërkuar gjykatës që ta lërë të lirë, pasi ka një fëmijë të vogël.
Administratorja mbërriti dje rreth orës 110:00 në Gjykatën e Tiranës për masë sigurie, pasi akuzohet për keqtrajtim të të miturve. Jashtë gjykatës, Anjezën e priste i ati i saj, të cilit administratorja iu drejtua duke i thënë “Babi jam mirë”. Kurse, i ati iu kundërpërgjigj: “Bravo, e fortë të bëhesh”. Gjatë këtij momenti, babai i Anjezës ofendoi edhe gazetarët.
Shabani u ndalua tre ditë më parë, menjëherë pas publikimit të skandalit nga emisioni investigativ “Stop”. Pamjet tronditëse të keqtrajtimit të vogëlushit u regjistruan nga familjarët pas dyshimeve se i biri dhunohej rregullisht në kopshtin e drejtuar nga 32-vjeçarja Anjeza Shabani. Dyshimet e prindërve jo vetëm u konfirmuan nga pamjet e regjistruara paraditen e 14 qershorit, por edhe nga deklarimet e edukatoreve të punësuara në kopshtin “Diren”. Ndërkohë vetë e pandehura gjatë marrjes në pyetje, duke sqaruar rastin ka deklaruar se fëmija 3-vjeçar është dhunuar vetëm në atë rast nga ajo. Mbi Anjeza Shabanin rëndojnë akuzat e keqtrajtimit të të miturit, si dhe ajo e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë ka nisur dhe një verifikim në lidhje me biznesin e drejtuar prej saj, pasi siç deklaroi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli, kopshi “Diren” ishte i palicencuar dhe punonte i pashqetësuar nga autoritetet të paktën prej më shumë se një viti.

“Mos i prekni fëmijët”! Qytetarët në protestë para gjykatës

Dhjetëra qytetarë kanë marshuar dje në formë proteste në Tiranë me thirrjet “Mos i prekni fëmijët”. Protesta ka nisur para Kryesisë së Kuvendit dhe më pas protestuesit i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Tiranë, pikërisht atje ku pritej të jepej vendimi për Anjeza Shabanin, pronaren e kopshtit privat që dhunoi egërisht një foshnje.
Protesta është organizuar nga shoqëria civile që me pankarta ka kërkuar mbrojtjen e të drejtave të të miturve, mosushtrimin e dhunës ndaj fëmijëve në çerdhe dhe angazhimin e Ministrisë së Arsimit për të mbrojtur fëmijët. Qytetarët, kryesisht prindër, kanë lëshuar thirrje para Kryesisë dhe më tej i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku pritej të jepej masa e sigurisë për Shabanin, që u arrestua pas publikimit të videoskandalit që tronditi shqiptarët.
Anjeza Shabani u filmua me kamera të fshehtë nga emisioni “Stop” duke dhunuar me egërsi një fëmijë vetëm 3 vjeç, të cilit i shkaktoi traumë psikologjike dhe shenja në trup, pikërisht në kopshtin privat të administruar prej saj në Sauk me emrin “Diren”. Kopshti rezultoi edhe pa licencë.