Ballina Ekonomi Si po falimentojnë fermerët, rënie drastike e shitjeve në serra

Si po falimentojnë fermerët, rënie drastike e shitjeve në serra

Blerina HOXHA

Në mes të bizneseve të serrave në Krutje dhe Goricje të Lushnjës, aty ku fermerët mbijetojnë. Me ferma jo më shumë se një dynymë, “hambari” i Shqipërisë nuk është një biznes fitimprurës. Kostot e larta, mungesa e financimeve, spekulimi me plehrat dhe farërat, mungesa e tregut dhe çmimi i luhatshëm i kanë bërë kredimarrës të këqij shumë prej tyre. Në mes të zhgënjimit dhe mungesës së perspektivës, biznesi i bujqësisë po rrezikon të jetë flluska e radhës për riorientimin e investimeve.
Adriani, një fermer në Krutje të Lushnjës, në një nga zonat më prodhimtare bujqësore në vend, nuk e shleu dot këstin e radhës së kredisë 300 mijë lekë që mori për të shtuar rreth 1 dynym serrë të re. E mbolli me kungull, për të cilin shpenzoi 100 mijë lekë (siç thotë ai, të reja) për punimin e tokës, frezimin, plehërimin dhe farat, të cilat zënë një pjesë të madhe të kostos. Në prag të vjeljes, çmimi i kungullit u përgjysmua duke i siguruar atij vetëm 50 mijë lekë të ardhura, shumë e cila nuk mbuloi as gjysmën e shpenzimeve të mbjelljes pa llogaritur ato që harxhoi në procesin e ndërtimit.
Në muajt e parë të dimrit, ai planifikoi të ndërtonte në anë të serrës së vjetër edhe rreth 900 metra katrorë sipërfaqe, për të cilën harxhoi të gjithë kredinë dhe disa kursime të lëna mënjanë nga shitja e një bagëtie.
Tani kur vjelja e kungullit ka mbaruar dhe bimët janë krejt të kalbura bilanci rezulton me humbje 50 mijë lekë. Nuk ka nxjerrë as gjysmën e parave që ka shpenzuar për mbledhjen, ndërsa për shpenzimet e investimit as nuk bëhet fjalë. Kështu e ka kjo punë, një herë humbet e një herë fiton pak. Bujqësia shpesh të lë në baltë, por nuk kemi mënyrë tjetër jetese, shpjegon 50-vjeçari, të cilit i është rreshkur fytyra e trupi nga temperaturat e larta që duhet të përballojë gjatë punës në serrë. Ai thotë se këtë vit, çmimet nuk qenë të favorshme, pasi nuk po funksionojnë kontratat me Rusinë dhe as tregu i vendit nuk po tërheq. Po nuk shite mesatarisht me 50-60 lekë kilogramin e perimeve je i humbur. “Të paktën të mos të na thoshin zhvilloni serrat se do të fitoni. Erdhën nga Tirana e na premtuan se do të gjenin tregun dhe do të na jepnin edhe subvencione, por deri tani nuk kemi parë asgjë”, tregon me një nënqeshje të lehtë gjysmironike Adriani.
Teksa shpjegon, sytë i mban nga rruga. Ka nxjerrë në pikë të diellit një kuintal pjepër me shpresë që dikush të vijë t’ia blejë. Afër nesh, në anë të serrës, një grumbull me pjepra të kalbura mban erë. Por askush nuk duket. “Më falni tani se më duhet të iki, më duhet t’i çoj vetë në treg të Lushnjës, shpresoj të m’i marrin atje”, vijon ai duke lënë bisedën përgjysmë dhe largohet.
Ilir Mile, i cili drejton Shoqatën e Fermerëve në Rrupaj në Krutje të Lushnjës, shoqëruesi i udhëtimit tonë, thotë se shumica e fermerëve janë në këtë gjendje. Me të ardhurat që nxjerrin vetëm sa rrotullohen për bukën e gojës. Këtu në fshat nuk duhen shumë gjëra, thotë Iliri. Shumica kanë një dynym serrë me të cilin llogarisin të nxjerrin 20 mijë lekë të ardhura në muaj për të gjithë vitin, të cilat janë të mjaftueshme për të blerë ushqime industriale apo për të përballuar shpenzimet e shkollës për fëmijët. Por fshati në zemër të Myzeqesë që para viteve 1990 ka qenë një kooperativë e kualitetit të lartë e ka humbur produktivitetin këto vitet e ekonomisë së tregut. Shtëpitë e bukura nuk janë bërë nga serrat, por nga emigracioni, thotë Iliri, i cili vetë ka pak kohë që është kthyer nga Greqia dhe tani kultivon fidanë për fermerët e tjerë: “M’i kanë borxh më shumë se 500 mijë lekë këtë sezon. Dhe tani që po i shesin prodhimet, shpresoj të m’i kthejnë”.

Serrat, më pak se 5 dynymë jo fizibël

Alban Gjoka, nga fshati Goricaj, një burrë në të 40-tat, që fëmijë ka ndihmuar prindërit në serrën e familjes, e cila fillimisht nisi në pak metra katrorë. Këtu në Goricaj – thotë ai – të gjithë kanë serra, me këtë jetojnë. Vetëm katër-pesë familje rrojnë me bagëti. Kam mbi 20 vjet që merren me këtë punë, por vetëm ushqehem. Duhet të kesh të paktën pesë dynymë që të nxjerrësh një lek mënjanë. Albani me familjen e tij administron pak më shumë se 1 dynym serrë. Pak a shumë kjo është mesatarja e sipërfaqes që kanë familjet në fshat. “Nga përvoja jonë, nuk ke leverdi me sipërfaqe të vogla, pasi shpenzimet janë të mëdha”, tregon ai. Ndërtimi i një dynymi serrë kushton 800 mijë lekë. Asnjë nga fshati me biznesin e serrës nuk mund t’i kursejë kaq, thotë Albani. “Ose na ka ndihmuar emigracioni ose kemi marrë kredi. Unë që nuk kam punuar jashtë mora kredi, që të shtoj edhe disa metra serë. Mbolla sallatorë, dhe ma porositën ata të Kosovës. E sollën vetë farën dhe 500 mijë lekë kam fituar deri më tani”.
Albani shpjegon se gjysma e kursimeve do të shkojë për kredinë dhe pjesa tjetër për ushqimet e vitit. Kushëriri i tij ka sipërfaqe më të madhe dhe fiton më mirë. Ai i ka mbi pesë dynymë. Me shpenzime pak a shumë të ngjashme ai merr më shumë fitime, kështu që i teprojnë para nga shpenzimet vjetore për serrën, familjen dhe kredinë. Vetëm pak metra larg serrës, Albani ka ngritur karabinanë e shtëpisë e re. “E shihni këtë shtëpinë këtu. Kam dhjetë vite që e kam nisur dhe nuk e di se kur mbaron. Ja pra, ky është biznesi i serrës. Na del sa për t’u ushqyer. Ja të vijë ministri këtu te ne. Kështu është realiteti i shumicës. Por edhe kur vjen, shkon te të mëdhenjtë. Bën me dorë nga disa serra të mëdha. Kompania e ka hedhur prodhimin e parë, por nuk e ka problem edhe të humbë, është kompani e madhe”, tregojnë fshatarët.

Rajoni vend industrial, Shqipëria, bujqësor

Ekonomitë e rajonit dominohen nga industria e shërbimeve dhe e faktoringut, ndryshe nga Shqipëria, e cila e ka të pozicionuar strukturën e ekonomisë së saj në bujqësi dhe shërbime edhe pse burimet natyrore të vendit dhe mosha e re e popullsisë avantazhojnë sektorët e tjerë.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, struktura e ekonomisë së rajonit ku përfshihen Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia dominohen nga shërbimet, të cilat zënë nga 51-71 për qind të ekonomisë në varësi të vendeve.
Shqipëria edhe pse ka 316 kilometër vijë bregdetare, industria e shërbimeve zë peshën më të ulët në ekonomi në vetëm 51% në krahasim me vendet e tjera. Në Maqedoni sektori i shërbimeve zë 64 për qind të ekonomisë, në Malin e Zi mbi 71 për qind për shkak se vendi fqinjë e ka zhvilluar ekonominë bazuar në industrinë e turizmit nëpërmjet modelit të resorteve.
Në Bosnje sektori i shërbimeve zë 64.8% të ekonomisë, në Serbi 59%, ndërsa në Kosovë 57.4%.
Ndryshe nga rajoni, bujqësia paraqitet dominante në strukturën e ekonomisë shqiptare. Edhe pse vendi ynë është një importues neto i prodhimeve bujqësore, ka copëzimin më të lartë të tokës në krahasim me rajonin dhe me një zhvillim spontan të paorganizuar pesha e bujqësisë në strukturën e ekonomisë është sa dyfishi i rajonit (22%). Në Maqedoni, bujqësia zë 11% të ekonomisë, në Malin e Zi vetëm 9.8%, në Serbi, 9.4%, në Bosnjë 8.3% dhe në Kosovë 14.4%.
Manifaktura është ajo që bën diferencën. Në rajon kjo degë ka dyfishin e peshës në krahasim me Shqipërinë. Në Shqipëri ajo zë vetëm 5.6% të peshës në ekonomi, ndërsa në Bosnjë 13.2%, në Kosovë 13.2% në Maqedoni 11.8% të ekonomisë, në Malin e Zi, 4.9% dhe Serbia ka peshën më të lartë të manifakturës në ekonomi me 19.1%.
Ekonomitë e rajonit paraqesin struktura të ngjashme, ndërsa në Shqipëri ka një kontribut të rëndësishëm bujqësia në dallim nga vendet e tjera. Përsa i përket ecurisë së eksportit të të mirave dhe shërbimeve ndaj PBB-së, Shqipëria mbetet mbas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe i krahasueshëm me Bosnje-Hercegovinën.

Exit mobile version