Shkëlqeu në “Euro 2016”, Fenerbahce kërkon Arlind Ajetin

“Euro 2016” ishte padyshim një eksperiencë e paharrueshme për Kombëtaren dhe tifozët shqiptarë, ndërsa për lojtarët kuqezi një vitrinë për të treguar cilësitë e tyre më të  mira. Nuk është e rastësishme, që pikërisht gjatë “Francë 2016”, futbollistë të ndryshëm të Kombëtares janë vënë në qendër të vëmendjes së klubeve të rëndësishme në Europë. Një prej tyre është Arlind Ajeti, i cili e zëvendësoi më së miri Canën në ndeshjen me Francën, ndërsa në përballjen e fundit me Rumaninë u shpall madje njeriu i ndeshjes nga specialistët e UEFA-s. 22-vjeçari, i cili mbylli sezonin me Forsinonen, por pa mundur të shmangte rënien nga Seria A të skuadrës së tij, i ka rritur ndjeshëm kuotat në merkato, madje së fundmi për të ka shfaqur interes edhe Fenerbahce.
Nënkampionia e Turqisë kërkon një qendërmbrojtës të ri, për ta rreshtuar krah danezit Simon Kjaer, dhe Ajeti ka profilin e duhur për këtë rol. Sigurisht është herët për të folur për një marrëveshje përfundimtare, por është e qartë se drejtuesit e klubit turk kanë nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, që sapo mbylli aventurën me Shqipërinë në “Euro 2016”. Për Ajetin në fakt është interesuar edhe Pescara e sapongjitur në Serinë A, por gjithçka varet nga oferta që do t’i bëjë klubi italian. Nuk duhet anashkaluar fakti, se me Fenerbahcen qëndrmbrojtës i Shqipërisë do të ketë mundësi të luajë edhe në Kupat e Europës.