Kopshti i dhunës ndaj të miturit, si Shqipëria ku sundon Edi Rama

Partia Demokratike ka reaguar për skandalin e dhunës ndaj fëmijës 3-vjeçar nga administratorja e kopshtit në Sauk. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa deklaroi se, skandali i dhunimit të fëmijës në kopshtin privat në Tiranë, u thellua dje kur vetë me gojën e saj ministrja e Arsimit refuzoi të mbajë përgjegjësitë e saj, edhe pse ky institucion ishte i palicencuar në zemër të kryeqytetit. Sipas Lindita Nikollës, faji është i prindërve.
“Ekzistenca e këtij kopshti privat në zemër të Tiranës, pa licencë është një shkelje e rëndë e ligjit dhe ne i bëjmë thirrje Prokurorisë të hedhë dritë sa më shpejt mbi këtë krim. Është e qartë se ky aktivitet nuk bëhej pa dijeninë e Ministrisë së Arsimit, pa dijeninë e Lindita Nikollës. Por bëhej me dijeninë e tyre të plotë, me bekimin e tyre të plotë. Dikush ka marrë para që kopshti pa licencë të punonte. Dikush është paguar mirë që kjo paligjshmëri të mos prekej”, deklaroi zëdhënësja e PD.
Ajo tha më tej se, PD nxit Prokurorinë që të bëjë një hetim të shpejtë e serioz, për të nxjerrë në dritën e diellit se kush e merrte ryshfetin në ministrinë e Lindita Nikollës, vartësit e saj apo ajo vetë. “Një drejtësi e plotë dhe e rreptë për këtë rast, do të ndihmonte në rritjen e sigurisë për fëmijët dhe vogëlushët e pambrojtur. Por kjo është më shumë se historia e një kopshti pa licencë, ku dhunohet mizorisht një i mitur”, tha Zhupa.
Zëdhënësja e PD tha më tej se, krejt vendi, Shqipëria është në të njëjtin realitet, ku Edi Rama, dhunon të dobëtit, të pamundurit. U merr atyre dhe qindarkën e fundit. I përplas në varfëri e mjerim. Në burgje e në errësirë. “Dhe në fund, ky delirant i papërgjegjshëm, na shfaqet si Marigoja i qëndismave në bluzën e kombëtares. Mendon se do t’i shpëtojë ndëshkimit popullor me votë për krimet dhe korrupsionin, duke mashtruar paturpësisht për një bluzë. Po në të vërtetë gjithkush e di se ai është autori i Rroshit, Bushit, Bardhit, Prengës, Ndokës dhe Frrokut; Është autori i përgjimit të paligjshëm. Është autori i 2.2 miliardë eurove të vjedhura në 2 vite. Dhe për këto do të gjykohet dhe ka për t’u gjykuar nga populli e jo për mashtrimet dhe vanitetin bosh të vizatimeve të dala boje”, përfundoi zëdhënësja e PD.

Skandal, kopshti ku u dhunua i mituri, tërësisht informal

Kopshti privat “Diren”, administratorja e të cilit u filmua duke dhunuar barbarisht një fëmijë 3 vjeç, ka ushtruar aktivitetin pa licencë, i paregjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në Drejtorinë e Tatimeve, duke iu shmangur çdo lloj detyrimi tatimor në shtet, për më shumë se 1 vit.
Kopshti “Diren”, në zonën e Saukut, tashmë është vënë në qendër të vëmendjes si pasojë e skandalit të ndodhur pak ditë më parë, ku administratorja e këtij kopshti dhunoi fëmijën 3 vjeç.
Pas këtij skandali, “STOP” ka vijuar me hetimet sa i përket këtij subjekti që administrohej nga Anjeza Shabani. Përmes një shkrese drejtuar QKB (Qendrës Kombëtare të Bizneseve), “STOP” kërkoi të informohej lidhur me kopshtin “Diren”, nëse ky subjekt ka një numër Nipt-i, është i regjistruar, tatohet apo jo?
Përgjigjja e kthyer nga ky institucion ka qenë se ky subjekt nuk ka qenë i regjistruar. Sipas të dhënave, ky kopsht prej 13 muajsh ushtronte këtë aktivitet të paligjshëm.
Administratorja Anjeza Shabani, të cilës sot do t’i jepet masa e sigurisë, përveç përballjes me akuzën për dhunim të të miturve, ajo do të përballet edhe me evazion fiskal, shmangien e detyrimeve tatimore dhe shmangien e të ardhurave.
Menjëherë pas inspektimit të bërë, tashmë hetimi tatimor është vënë në lëvizje duke bllokuar kopshtin “Diren”. Tatimet thonë se në atë zonë kanë marrë vazhdimisht të dhëna për biznese të tjera dhe mungesa e informacionit për kopshtin “Diren”, ku u zbulua skandali i dhunës ndaj fëmijës, bën të dyshohet në një drejtim: Moskryerja e detyrave të tatimorëve me dashje.
Dijeni për kopshtin “Diren” nuk kanë as institucione të tjera, si Inspektorati i Punës, që kryen inspektime për deklarimin e punonjësve, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, që kryen kontrolle higjiene dhe dokumentacioni.  Mungesa e inspektimeve, sipas këtyre institucioneve, ka ardhur pasi kopshti nuk ka qenë i licencuar dhe për rrjedhojë nuk ka qenë në planet e kontrolleve.

Edukatoret: Anjeza Shabani e rrihte vazhdimisht 3-vjeçarin

Zbardhen dëshmitë e dy edukatoreve, të cilat fundosin administratoren e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani, e arrestuar pas shfaqjes së pamjeve filmike në emisionin “STOP”, ku ajo shihet duke dhunuar barbarisht një fëmijë 3 vjeç. Edukatoret, që po ndiqen në gjendje të lirë për moskallëzim krimi, kanë deklaruar se dhuna ka qenë e përsëritur ndaj 3-vjeçarit dhe se nuk ka qenë i vetmi rast ai i transmetuar në emisioni “STOP” në “TV Klan”, siç pretendon Anjeza Shabani.
Në dëshmitë e tyre ato thonë se ka patur dhunë verbale edhe ndaj fëmijëve të tjerë. Të pyetura se përse nuk i kanë denoncuar këto raste, edukatoret janë shprehur se nuk dinin që kjo ishte vepër penale dhe se kishin frikë se administratorja mund t’i pushonte nga puna.
Burime të Prokurorisë thonë se do të verifikohen të gjitha veprimet e punonjësve të kopshtit “Diren”, për të parë nëse kanë kryer vepër penale gjatë ushtrimit të detyrës. Verifikime, thonë burimet, do të kryhen edhe për institucionet, të cilat kanë lejuar të funksionojë pa licencë ky kopsht. Por këto veprime do të kryhen në një moment të dytë, pasi Prokuroria po përgatit dosjen për të dërguar në gjykatë Anjeza Shabanin, e cila do të njihet me masën e sigurisë.
32-vjeçarja do të dalë enjten para gjykatës ku do t’i komunikohen zyrtarisht dy akuzat për dhunim të të miturve dhe shpërdorim detyre. Mësohet se prokurori i çështje do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg pa afat.
Babai i 3-vjeçarit të dhunuar që iu drejtua emisionit “STOP” për të vërtetuar dyshimet që i kishin lindur si pasojë e veprimeve të djalit, ka qenë në Prokurorinë e Përgjithshme, në zyrën për mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe më pas në Prokurorinë e Tiranës, ku është pyetur për detaje të tjera rreth këtij skandali.

R.POLISI