Edi na poqe

Reltar DEDA

Shqiponja, simboli ynë kombëtar është duke u valëvitur në shtëpi, mbi makina dhe hyrje lokalesh në të gjithë vendin. Sigurisht, kjo më së pari për shkak të futbollit. Shqipëria arriti të ketë një pjesëmarrje historike në njërin prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit në Europë dhe kjo nuk është pak, por jo gjithçka. Sepse ka më shumë se kaq.
Ndërsa, djemtë e kombëtares ishin nisur nga Rinasi drejt qendrës së kryeqytetit, rrugët kryesore, ishin bllokuar të gjitha. Temperatura shënonte mbi 37 gradë celcius, dhjetëra qytetarë, të sapodalë nga puna po vraponin në pikun e zhegut, për të ikur në shtëpi. Vetëm pak persona, disa punonjës të administratës shtetërore, ku në duar mbanin disa flamuj të vjedhur nga institucionet po thërrisnin: fitore, fitore, fitore.
Të nxjerrësh administratën në mitingje edhe kishim parë, ta nxjerrësh atë për të pritur një kombëtare humbëse, por dinjitoze këtë as s’e kishim parë dhe as dëgjuar ndonjëherë.
Dukej se flamurët ishin zbritur me dhunë nga valviteshin krenarë, deri pak ditë më parë, sot sikur nuk kishin shkëlqimin e mëparshëm. Të krijohej përshtypja se a thua ishin ca degë peme që ishin tharë dhe ashtu të mbaruar ishin kacavjerrë drejt tokës, të leckosur, teksa jepnin shpirt.
Por nuk ishin aspak ndryshe, as njerëzit. Madje ata ishin më keq se flamujt, në urbanët e Tiranës, në pikun e vapës, njerëzit ngjanin me konservat e sardeleve, të vendosur njëri mbi tjetrin, ku vapa dhe djersa nuk ishin asgjë, duke pasur parasysh vuajtjen që po përjetonin nga mungesa e ajrit. Trafiku po bënte kërdinë, anekënd qytetit. Rrugët kryesore ishin bllokuar dhe bërë gati për spektakël. Vetëm në urbanin e linjës së Kinostudios, pa mbërritur tek stacioni i Medresesë, dy gra të moshuara humbën ndjenjat.
Mirëpo, kjo është veçse njëra anë e medaljes. Pjesa tjetër është akoma edhe më e rëndë.
Një vend i sigurtë tek e ardhmja e vet, zot i kohës së tij, nuk ka nevojë për tamtame buçitëse, ai e jeton jetën. Vendet pa përmbushje kanë nevojë vazhdimisht për ndihmën e paradave. Sindromi i të voglit. Çfarë të bëjmë. Na ka zënë. Vogëlsinë reale e kompensojmë pak me delire madhështie. Për të qeshur e për të qarë!
Megjithatë, Edi Rama e prishi lumturinë e kombëtares. Filloi t’i japë gojës siç ia do zakoni. Pa pyetur fare se njerëzit kanë halle e pakkujt ia ka ënda për të dëgjuar broçkulla me flamuj dhe gjak heronjsh. Bllokoi rrugë e sheshe qytetesh se ashtu do ai. Pa pyetur fare se njerëzit po ndjeheshin në urban si peshk sardele brenda konservash. Pushtetin e ka, paratë i ka, gardistët roje me kostume, pronat, dete e male nuk i mungojnë, por përsëri nuk ndjehet rehat me veten. Seç ka ai djalë…