Budallallëk politik

Alexander Kudascheff

E gjithë Europa është shtangur dhe shpreson që britanikët të mbeten në BE, që referendumi për Brexit-in në fund të mbyllet qetësisht. E gjithë Europa shpreson? Natyrisht jo. Kundërshtarët, skeptikët, armiqtë e klubit europian – ata shpresojnë për një “leave”. Sepse nëse britanikët ndahen nga BE-ja, kjo do të ketë natyrisht efekt sinjalizues për qeveritë skeptike ndaj BE-së, por në radhë të parë për partitë armiqësore ndaj BE-së – si p.sh. Front National në Francë apo Partia e Lirisë e Geert Wilders në Holandë. Në këtë kontekst duhet vetëm të kujtojmë, se në të dyja vendet, anëtarë themelues të Komunitetit Ekonomik Europian, refuzuan përmes referendumeve popullore projekt Kushtetutën e parë e BE-së. E me shumë gjasë të dyja partitë në të dy këto vende, gjithashtu do të imponojnë referendume popullore mbi anëtarësinë në BE. Rezultati i të cilëve do të ishte më se i paqartë.

Reformat në BE urgjentisht të nevojshme
E pra thuajse e gjithë Europa shpreson. Pikërisht: Europa me theks tek arsyeja, e cila e di që edhe nëse Britania e Madhe mbetet anëtare e BE-së, reformat janë urgjentisht të nevoshme. Përgjigja ndaj një “remain” britanik fillimisht do të jetë si një frymëmarrje lehtësimi. Por BE-ja duhet të fillojë të mendojë, se si mund të kapërcehet mosbesimi i thellë që ekziston “kundër atyre në Bruksel”. Kuptimi dhe dobia e BE-së duhet të bëhet sërish më e qartë.
Ndjenjës që klasa politike europiane vepron si elitë e distancuar, nuk duhet t’i kundërvihesh me retorikën e zakonshme shablon se “më shumë Europë është tashmë më e domosdoshme se kurrë”. Përkundrazi, duhet që të shqyrtohet me seriozitet kritika me vend që ngrihet ndaj mangësive në BE dhe në Bruksel – në Komision, në Parlament dhe në Këshill. BE-ja ka nevojë për një reformë dhe ajo duhet t’u përçojë qytetarëve një ndjenjë të re bashkëekzistence.
Ka shumë arsye parimore dhe ekonomike, përse për Britaninë e Madhe është më mirë të qëndrojë në BE. Por ka edhe shumë arsye parimore dhe ekonomike, përse për BE-në është më mirë që Britania e Madhe të mbetet anëtare. Në politikën botërore Britania e Madhe pa BE-në dhe BE-ja pa Britaninë e Madhe, mund të luajnë në rastin më të mirë një rol sekondar në skenën globale. Një union pa influencën e britanikëve pa dyshim do të ishte union më pak pragmatik, më pak liberal dhe më pak i besueshëm në treg, nga ç’është BE-ja sot. Dhe Gjermania do të humbiste partnerin e saj më të rëndësishëm, kur është fjala për të mos e kuptuar Evropën si makineri për shpërndarjen e parave.

Një budallallëk politik
Sido që të përfundojë referendumi – një gjë është e qartë që tani: kryeministri britanik Cameron guxoi ta lejonte referendumin vetëm për arsye të politikës brenda partiake, për të qetësuar skeptikët brenda partisë së tij konservatore. Dhe me këtë, ai e zhyti BE-në një krizë fatale. Ai zgjoi ato shpirtëra euroskeptikë që donte të dëbonte. Ai e vuri fatin e vendit të tij dhe të BE-së në dorë të një referendumi pa kuptim dhe të panevojshëm. Dhe në qoftë se britanikët do të vendosin në mënyrë pragmatike dhe të arsyeshme, sikurse shpresohet në shumë shtete të BE-së, Cameroni ka shkaktuar një përçarje në vendin e tij. Dhe ai i ka çuar themelet e vendit të tij në kufirin maksimal të barrës që mund të mbajnë. Për këtë shkak, politikisht vendimi për referendumin ishte një budallallëk. Dhe situata tejet emocionale e javëve të kaluara – deri tek vrasja e deputetes Cox – tregoi edhe një herë qartë që, çështje të tilla komplekse vlejnë të diskutohen në Parlament, por jo në një referendum popullor.