Rama po nxit destabilitetin dhe delegjitimon Kuvendin

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi dje vendosmërinë e opozitës për të përfunduar Reformën në Drejtësi sipas Komisionit të Venecias dhe i ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës të mos përdoren politikisht nga njeriu që kërkon të marrë peng, drejtësinë e pavarur.
Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së grupit, Basha  paralajmëroi se Edi Rama ka marrë përsipër dështimin e sigurt, duke bërë të mundur nga njëra anë shtyrjen për të paktën një vit të Reformës në Drejtësi.
“Grupi parlamentar i PD dhe opozita është unanime në qëndrimin e saj për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton korrupsionin dhe krimin. Me aktin e sotëm, Edi Rama është vetëdenoncuar si armiku i një reforme të tillë.
Duke avancuar në mënyrë të njëanshme në Kuvend kërkesën për të miratuar një draft kushtetues që e kap politikisht drejtësinë, Edi Rama ka marrë përsipër dështimin e sigurt, duke bërë të mundur nga njëra anë shtyrjen për të paktën një vit të Reformës në Drejtësi dhe nga ana tjetër, duke rrezikuar delegjitimitetin e Parlamentit dhe destabilitetin politik të Shqipërisë.
Kjo ne nuk na habit.
Jemi ndeshur me këtë axhendë të Edi Ramës që prej ditës së parë të Reformës në Drejtësi dhe është falë kontributit tonë që sot kemi një draft të standardit europian. Është falë kontributit tonë që i kemi hequr nga duart, njëra pas tjetrës, të gjitha projektet e kapjes së drejtësisë, duke nisur me Byronë Kombëtare të Hetimit apo me kontrollin e procesit të vetingut. Ky është një fakt që sot nuk po e deklaroj për pompozitet apo për propagandë para shqiptarëve, por është çertifikuar nga Komisioni i Venecias dhe ajo që kërkojmë ne sot është për t’u dhënë shqiptarëve drejtësinë që meritojnë ata.
Ajo që kërkojmë ne është ta përfundojmë këtë proces për drejtësinë që e meritojnë shqiptarët dhe jo një peshqesh për Edi Ramën.
Ka njëmijë e një arsye që t’i  trembet një drejtësie të pavarur, një gjyqësori të pavarur, një prokurori të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Ndaj thirrja jonë dhe qëndrimi ynë mbetet zbatimi i plotë i Rekomandimit 88 të Venecias. Refuzuesi është Edi Rama, sepse armiku i drejtësisë së pavarur është Edi Rama” tha kreu i PD.
Basha u bëri thirrje të gjithë deputetëve të mazhorancës të mos përdoren politikisht nga Rama dhe interesat por të reflektojnë dhe të miratojnë për një reformë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Sot dua t’i bëj një thirrje të gjithë deputetëve të mazhorancës të mos përdoren politikisht si mburojë nga njeriu që ka tmerr drejtësinë e pavarur. Dua t’u them sot shqiptarëve, se PD ka bërë të gjitha përpjekjet për një drejtësi që nuk mbron, por lufton korrupsionin dhe krimin, për një drejtësi që t’u shërbejë sa më mirë interesave të tyre.
Çështja që na ndan sot me Edi Ramën është në fakt çështja më e rëndësishme.
Nëse ka kapje politike, sipas draftit të Edi Ramës – nuk ka reformë. Nëse ka reformë, ajo reformë do të bëhet sipas Komisionit të Venecias” u shpreh kreu i PD.
Basha ritheksoi edhe njëherë qendrimin se rruga e miratimit të Reformës në Drejtësi është rruga e miratimit të rekomandimit 88 të Kmisionit të Venecias. Ai deklaroi prerazi se Parlamenti nuk do mund të miratojë kurrë reformën Rama të kapjes së drejtësisë.
“Dhe me këtë reformë nuk ka kapje politike. Këtë kërkon PD, këtë kërkon opozita dhe e shtuar në radhët e saj edhe me faktorë që deri dje nuk e kanë parë veten e tyre në opozitë – që i vlerësoj jashtëzakonisht për qëndrimin e tyre, se kjo nuk është çështje opozitare apo thjesht opozitare – është çështje kombëtare: Si e duam drejtësinë nesër, nën hyqmin e Edi Ramës apo një drejtësi që bindet, respekton dhe zbaton vetëm ligjin?! Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, Venecia e ka sanksionuar këtë si një zgjedhje të drejtë. Rruga e miratimit të Reformës në Drejtësi është rruga e miratimit të rekomandimit 88, ndërsa akti armiqësor ndaj Reformës në Drejtësi që është një akt armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë para se të jetë ndaj opozitës, do të takohet në Parlament me dështimin e plotë e të gjithanshëm. Parlamenti shqiptar përsa kohë dëshiron që të mbetet një Parlament ligjitim me pjesëmarrje opozitare, nuk mund dhe nuk do ta ratifikojë kurrë projektin e kapjes së drejtësisë nga Edi Rama”, theksoi Basha.

Artben Shahini