Parlamenti maqedonas refuzon shkarkimin e Presidentit

Parlamenti i Maqedonisë e refuzoi të martën mocionin për votëbesim ndaj Presidentit Gjorgje Ivanov. Deputetët e Lidhjes Social Demokrate në opozitë, që kishin ngritur nismën e mbështetur edhe nga ata të Bashkimit Demokratik për Integrim, arritën të sigurojnë vetëm 35 vota nga dy të tretat e nevojshme në Parlamentin prej 123 vendesh, për ta detyruar Presidentin e vendit të jepte llogari mbi vendimin për faljen e dhjetëra politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të dyshuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera penale.
Dyzeteshtatë ligjvënës të VMRO-DPMNE-së votuan kundër nismës. Ndërkohë, deputetët opozitarë thanë se Gjorgje Ivanov nuk meriton të quhet president, kurse Bashkimi Demokratik për Integrim që bën pjesë në qeverinë e vendit së bashku me partinë e Presidentit Ivanov, thotë se nuk e njeh legjitimitetin e këtij të fundit që pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, për shkak të mungesës së një konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit.
Por, edhe sikur të votohej mocioni ndaj residentit maqedonas, çështja do të duhej të kalonte në Gjykatën Kushtetuese, e cila po ashtu përmes dy të tretave të votave të anëtarëve të saj do të duhej të merrte vendim për fatin e Presidentit Ivanov.
Vëzhguesit thonë se kjo gjykatë si edhe gjithë sistemi gjyqësor në Maqedoni është nën kontrollin e pushtetit. Presidenti Ivanov fali 56 personalitete, në mesin e tyre drejtues partish e politikanë, pasi Prokuroria e Posaçme, një organ i formuar rishtazi si pjesë e marrëveshjes politike ndërmjet katër partive më të mëdha, filloi hetimet mbi disa afera që burimin e kishin tek skandali i përgjimeve, që çoi në krizën politike në vend.
Më pas, Presidenti Ivanov u detyrua të tërheq vendimin si rezultat i protestave qytetare dhe i kërkesave të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar.