Ofertë për Berishën

Kampionati Europian është vitrina e kuqezinjve në merkato. Një mundësi e shfrytëzuar më së miri nga lojtarët e Kombëtares. Pas Elseid Hysajt që kërkohet nga gjigantë kontinentalë si Bayern Munchen, Barcelona, Atletico Madrid dhe Arsenal, tashmë në fokus janë Etrit Berisha dhe Armando Sadiku.
E ardhmja e “gardianit” kuqezi duket larg Lazios, ndërsa interesimi për 27-vjeçarin nuk mungon. Gjigantët turq të Besiktas-it dhe Galatasaray-t kanë nisur të mbledhin informacion për Berishën, kontrata e të cilit me Lazion përfundon vitin e ardhshëm.
Për Berishën interesohet gjithashtu edhe Sassuolo në Serinë A dhe që mund t’i jepte shansin të luante në Europa League, ndërsa për shërbimet e tij interesohet edhe Watford, skuadër që është rikthyer në Premier League. Sirenat turke dhe alternativa për t’u transferuar në elitën e futbollit anglez duken edhe pistat më konkrete për momentin.
Interesim nga Superliga turke ka edhe për golashënuesin historik të Shqipërisë në Kampionatin Europian, Armando Sadiku. Interes konkret për shërbimet e 25-vjeçarit, kartoni i të cilit zotërohet nga Zurich, ka shfaqur Rizespor.
Megjithatë, Sadiku duket se do të presë. Sulmuesi po sponsorizohet nga trajneri De Biasi dhe zv/trajneri Tramezzani për t’u transferuar në Itali, ndërsa në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai tregoi se ëndërron që një ditë të luajë në elitën e futbollit përtej Adriatikut.
Sadiku tha se e adhuron Serinë A dhe ëndërron që një ditë t’i vijë shansi për të luajtur, ndërsa zbuloi se shokët e Kombëtares e ngacmojnë, duke i thënë se duhet të ndihet me fat, pasi shumë lojtarë të mëdhenj të futbollit nuk kanë arritur të shënojnë gol në evenimentin më të rëndësishëm kontinental.
Ndërkohë, e përditshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar kombëtares shqiptare një vend të rëndësishëm në faqet e saj. Kombëtarja shqiptare është duke e pritur në ankth përfundimin e ndeshjeve në Grupin E dhe F për ta kuptuar nëse do ta kalojë fazën e grupeve. Por, sipas të përditshmes sportive italiane “La Gazzetta Dello Sport”, kuqezinjve nevojitet një mrekulli për të kaluar më tej.
“Shqipërisë i nevojitet një mrekulli: janë tifozë me Italinë dhe kundër Portugalisë”, është një nga artikujt e kësaj gazete që shpjegon të dy skenarët që duhet të plotësohen gjatë ditës së sotme në mënyrë që skuadra e Gianni De Biasit të arrijë të kualifikohet mes 16 ekipeve më të mira.
“Rezultatet e djeshme ulin ndjeshëm shpresat e Shqipërisë për të kaluar në fazën tjetër, si një prej 4 të tretave më të mira”, thekson e përditshmja sportive italiane, e cila shpjegon se për momentin, kuqezinjtë kanë gjithçka kundër falë një golavarazhi më negativ sesa ekipet e tjera.