Shqipëria historike!

Fitorja historike e Shqipërisë dhe mundësia për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Kampionatit Europian ka ngjallur një reagim të madh të UEFA-s, e cila i dedikon një analizë këtij suksesi të kuqezinjve. UEFA ka publikuar intervistat me protagonistët kryesorë të ndeshjes, ku thekson se kuqezinjtë duhet të presin deri të mërkurën për të mësuar fatet e tyre.
“Gianni de Biasi po shpreson që ekipi i tij të luajë sërish në ‘Euro 2016’, ‘ne mund të krijojmë probleme për të gjithë’, ishin fjalët e strategut italian në përfundim të ndeshjes”, shkruan UEFA.
“Vetëm ta kishit parë fytyrën e Armando Sadikut në momentin kur ai shënoi gol kundër Rumanisë do ta kishit kuptuar rëndësinë e kësaj fitoreje për të gjithë shqiptarët. Tifozët shqiptarë kishin mbuluar rrugët e Lyon-it, kështu duke u dëgjuar kënga e tyre ‘Ti Shqipëri më jep nder’, këngë kjo që jehoi në gjithë vendin dhe shfaqi një emocion të papërshkueshëm të tifozëve kuqezi”, shkruan UEFA.
Në shkrimin e UEFA-s janë përmbledhur deklaratat e lojtarëve kuqezi pas ndeshjes. “Kjo nuk është një fitore për skuadrën, por për të gjithë shqiptarët kudo në botë”, është shprehur Mërgim Mavraj.
Festimet në Lyon vazhduan, por ishte vetëm fillimi. Edhe në mesnatë, pasi autobusi i kuqezinjve ishte larguar nga stadiumi, lojtarët ishin ende duke kënduar “Ti Shqipëri më jep nder”.
Turma të mëdha tifozësh kanë ndjekur Shqipërinë në Euro 2016, disa nga Shqipëria, disa nga Kosova e një numër i madh emigrantësh që ndodhen në Evropë, Amerikën Veriore dhe më gjerë.
Diversiteti, i reflektuar gjithashtu edhe në numrin e madh të tifozëve emigrantë, bazuar edhe në numrin e shqiptarëve, tregon se kjo ishte me të vërtetë një festë ndërkombëtare.
Nëse fitorja do të jetë e mjaftueshme që Shqipëria të vazhdojë në raundin e 16, mbetet për t’u parë. Sido që të jetë, tifozët shqiptarë do të kenë gjithmonë kujtim Lyon-in.
UEFA ka përzgjedhur dhe vlerësuar me çmimin tifozi më i mirë i kombëtares shqiptare në përballjen me Rumaninë. Borin Shehu është vlerësuar nga UEFA si fansi më simpatik i shqiptarëve, pasi me dekorin e tij pushtoi fokusimin e mediave ndërkombëtare.
“Jam shqipe, shqiponja dykrerëshe. Dragoi i Dragobisë, dragoi i lindjes. Krahët mbulojnë trojet shqiptare. Nga sqepi shkabë del zjarr llavë, e djeg armikun nga qiell i lartë. Se jam shqiptar, i kuq si flaka”, shkruan Borin Shehu.
Djali nga Tirana, që studion për art në Francë, kishte bërë krahët gjigante të shqiponjës dhe më pas i kishte vendosur në shpinë. Borin Shehu nuk mjaftohej me kaq, por kishte lyer edhe fytyrën dhe mbante veshur rrobat tradicionale.