Pescara rrit presionin për Arlind Ajetin

Pescara synon të ndërtojë një koloni shqiptare. Kapiteni Ledian Memushaj është një nga siguritë e skuadrës abruceze në mesfushë, por me ekipin bardhekaltër mund të bashkohet edhe Arlind Ajeti, ende pa një kontratë pas përfundimit të aventurës me Frosinonen. Trajneri Massimo Oddo i ka idetë e qarta, ai kërkon që reparti i prapavijës të përforcohet me një element të ri siç është mbrojtësi i kombëtares kuqezi, i cili la shenjën e tij edhe në sfidën kundër Rumanisë. Mediat italiane bëjnë me dije se kontaktet me stafin e lojtarit kanë nisur dhe pritet të arrijnë në një marrëveshje gjatë ditëve të ardhshme.
23-vjeçari që gjatë pjesës së dytë të sezonit u aktivizua në radhët e Frosinones, arriti të rrëmbente vendin e titullarit te skuadra debutuese e Serie A, por me rikthimin e verdhebluve në Serie B bashkëpunimi mes palëve u ndërpre automatikisht. Disa javë më parë në garë për mbrojtësin shqiptar u fut edhe Torino, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që Igli Tare të nisë ofensivën për ta afruar te Lazio. Gjithsesi, një peshë të madhe në vendimin e tij do të ketë edhe trajneri De Biasi, i cili mbetet një nga njerëzit më të afërt të mbrojtësit që në muajin nëntor zgjodhi të bashkohej me Frosinonen pikërisht sipas kërkesës së trajnerit italian të kombëtares shqiptare.