Zvicra e përçarë për Xherdan Shaqirin

Xherdan Shaqiri përçan Zvicrën. Forma që ka shfaqur 24-vjeçari në dy ndeshjet e para të Euro 2016 ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë ka hapur një diskutim të gjerë në opinionin zviceran nëse trajneri Vladimir Petkoviç duhet ta ulë në stol, për t’i treguar se ai dhe kushdo tjetër nuk e ka vendin të sigurtë në përfaqësuese. Edhe fakti që trajneri i helvetëve nuk e ka emëruar zëvendëskapiten, sipas mediave zvicerane mund të ndikojë në sjelljen e lojtarit në fushën e blertë.
Një tjetër çështje e ngritur ditët e fundit ka të bëjë me të ardhmen e Shaqirit te Zvicra. I pyetur pak ditë më parë nëse do t’i bashkohet Kosovës, mesfushori i Stoke City-t la gjithçka të hapur.
Opinioni zviceran është i dyzuar për pozicionin e Shaqirit te Zvicra. Nga njëra anë ish-kapiteni i kombëtares zvicerane, Sforca mendon se një pauzë, pra ulja në stol do t’i bënte mirë futbollistit dhe do ta kthente me këmbë në tokë.
Ndryshe nga ai ish-sulmuesi Marc Streller këmbëgul se pozicioni i Shaqirit në 11-she nuk duhet të vihet në diskutim, sepse me cilësitë e tij mund ta zgjidhë në çdo moment ndeshjen, duke cilësuar takimin e botërorit 2014 me Hondurasin, ku shënoi të tri golat e sfidës, për t’i dhuruar kualifikimin Zvicrës. Ndaj Francës në ndeshjen e fundit në Grupin A në Euro 2016, të gjithë presin të shohin Shaqirin e vërtetë, jo atë që qëndroi në hije ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë.