Tërmeti i Tepelenës punëson në Bashki të dënuar nga Gjykata

Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, jo vetëm që ka qenë vetë i dënuar nga gjykata, por ka mbledhur rreth vetes në Bashki edhe shokët e tij të dënuar. Njëri ndër ta është edhe zëdhënësi i Bashkisë së Tepelenës, Aleksandër Toti, i cili ndonëse i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për vjedhje është punësuar nga Tërmeti në Bashki. Bëhet e ditur se Aleksandër Toti është krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë së Tepelenës dhe mban pozicionin e zëdhënësit.
Gjykata e Tepelenës e ka dënuar zëdhënësin e Tërmetit me 4 muaj burg për vjedhje. Në vendimin e gjykatës të datës 7 korrik 2014 thuhet se, shpall deklarimin fajtor të pandehurin Aleksandër Toti për veprën penale “Vjedhje” dhe bazuar në nenin 134/1, germa “ç” të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) muaj burgim. Bazuar në nenin 406 të Kodit të Pr. Penale e ul masën e dënimit të dhënë duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Aleksandër Toti me 2 (dy) muaj e 20 ditë burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Aleksandër Toti fillon nga data e arrestimit 15.05.2014 dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme.
Megjithëse Toti ka qenë i dënuar nga gjykata për vjedhje, ai është punësuar në Bashki nga Tërmeti në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit. Ky nuk është rasti i vetëm, pasi bëhet e ditur se Tërmeti ka punësuar edhe persona të tjerë me të dyshuar të errët në Bashki.
Vetë Tërmet Peçi ka qenë i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë. Sipas një vendimi gjyqësor të vitit 2004, Tërmet Peçi figuron i dënuar nga Gjykata e Tepelenës për akuzën “Përdorim i dokumenteve të falsifikuara”. Ai është dënuar me 150 mijë lekë gjobë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa vendimi përfundimtar ka qenë dënimi me 100 mijë lekë gjobë, të cilat Peçi duhej t’i paguante në 2 këste.
Vendimi ka marrë formë të prerë më 7 prill 2004, pasi Peçi nuk e ka ankimuar në Apel. Por ndërkohë në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, Tërmet Peçi nuk e ka përmendur këtë dënim. Edhe pse është i dënuar në vitin 2004, kryebashkiaku i Tepelenës nuk e ka deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.
Formulari i Peçit është i pastër në seksionin ku shkruhet “nëse është dënuar ndonjëherë apo jo”. Struktura e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme që merret me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit duhet të nisë menjëherë hetimet. Kryebashkiakut të Tepelenës jo vetëm që duhet t’i hiqet mandati, por rrezikon dënimin me burg për mashtrim.
Në vendimin e Gjykatës së Tepelenës thuhet se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tepelenë ka parashtruar për gjykim procedimin penal nr. 31, datë 24.03.2004 në ngarkim të të pandehurit Tërmet Peçi akuzuar për veprën penale të “përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”, parashikuar nga neni 186/1 të Kodit Penal (i pandryshuar).
Gjykata në bazë të neneve 379 e vijues 390 të Kodit të Procedurës Civile vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Tërmet Peçi për veprën penale “përdorim i dokumenteve të falsifikuara” dhe në bazë të nenit 186/1 (i pandryshuar) 48/ç të Kodit Penal dënimin e tij me 150 000 lekë gjobë.
Tërmeti i Tepelenës është njëri nga dhjetëra të zgjedhurit e PS që drejtojnë sot bashkitë e vendit. Mjaft kryebashkiakë socialistë në vetëdeklarimet e tyre që vjen në bazë të ligjit për dekriminalizimin kanë mashtruar mbi veprat penale për të cilat janë akuzuar apo vuajtur dënimin në vitet e kaluara.