Mediu: Vijat e kuqe nuk i vendos Rama, por Komisioni i Venecias

Partia Republikane i kërkoi dje Kryeministrit Rama të respektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, e veçanërisht nenin 88 për vendet e rezervuara. Fatmir Mediu, kreu i PR-së, u shpreh se është Komisioni i Venecias ai që vendos vijat jeshile, duke treguar se cilat janë rrugët e zgjidhjes në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje.
“Partia Republikane deklaron se është në mbështetje të Reformës në Drejtësi. Ne e kemi votuar tashmë atë në çdo nen të saj dhe kemi pranuar dhe vepruar në bazë të dakordësisë politike dhe ndërkombëtare se, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë baza e refomës. Reforma në Drejtësi duhet të sigurojë një pushtet gjyqësor të pavarur nga politika dhe të pakorruptueshëm. Të gjithë kemi rënë dakord se vijat e kuqe nuk i vendos Rama, por i vendos Komisioni i Venecias. Ky komision ka përcaktuar dhe vijat jeshile, duke treguar se cilat janë rrugët e zgjidhjes në rast të mosmarrëveshjeve politike”, u shpreh Mediu.
Ka vetëm dhe vetëm një çështje që kërkon zgjidhje: moskapja politike e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca socialiste. Opozita është legjitime në të drejtën e saj, t`i bëjë thirrje Partisë Socialiste të respektojë zgjidhjen e dhënë nga Komisioni i Venecias sipas pikës 88. Ajo që kërkon opozita sipas këtij rekomandimi të Venecias është pranuar edhe nga specialistët e OPDAT dhe EURALIUS pranë komisionit që në fillim të këtij viti.
Demagogjia politike se, opozita kërkon që të vendosë ndikim politik mbi sistemin, është e pabazë, për faktin se përzgjedhja nga të gjithë vendimmarrësit politikë, pozitë dhe opozitë, bëhet mbi kritere selektive që në thelb kanë të bëjnë me formimin profesional dhe integritetin e personave që do të zgjidhen, duke përjashtuar çdo person që njihet apo ka informacion për qasje politike.
Votimi me 2/3 e zhvlerëson Parlamentin, krijon mekanizëm bllokues, rrit konfliktin politik, i heq mbështetjen e nevojshme politike institucioneve të drejtësisë, duke i bërë vendimet e tyre të kontestueshme. Mbi të gjitha shmang thelbin kushtetues të Republikës sonë parlamentare, duke i hequr autoritetin Parlamentit dhe duke e deleguar në institucione që jo vetëm nuk janë përfaqësuese, por dhe shumë të manipulueshme dhe të kontrolluara nga mazhoranca.
Partia Republikane kërkon që të votohet sa më shpejt Reforma në Drejtësi, duke i kërkuar z. Rama respektimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
Çdo veprim i njëanshëm i mazhorancës në Parlament për të tentuar të bëjë pazare me deputetët e opozitës, jo vetëm është i papranueshëm, por do të ketë konseguenca të rënda politike dhe do të cenonte integrimin europian të Shqipërisë.