Dede Kamberi, historia e një shenjtori që ndërroi jetë në qelitë e diktaturës

Kush e njeh Tomorr Alikon kujton kalvarin e gjatë të persekutimit të tij në diktaturën komuniste, burgjet, internimin dhe persekutimin, mirëpo jo shumë e njohin Tomorr Alikon si Dervishin e Nderit të Kryegjyshatës Botërore.

Ka kaluar 91 vitet dhe Tomorri nuk ndalet. Ecën, ngrihet dhe lufton në të njëjtën mënyrë mbi parimet e tij të shenjta. “E kam bekim këtë jetë të gjatë nga Dede Kamberi”, thotë Tomorri.

Ai kujton një histori në Spitalin e Burgut, ku fati e solli të jetë në të njëjtën dhomë-qeli me të shenjtin Dede Kamber Prishta. “Unë isha shumë i sëmurë me turbekuloz. Kisha kriza të forta. Baba Kamberin e kisha tek koka. I them, Baba do të vdes se jam shumë sëmurë. Dede Kamberi, pasi e dëgjon, buzëqesh ëmbël dhe thotë; jo bir ti nuk do të vdesësh, ti do të vuash, por do të jetosh gjatë dhe do të shohësh botën, ai që do të vdesë jam unë”.

Tomorr Aliko nuk i harron kurrë bisedat me Dede Kamberin në burg dhe sot në moshën 91-vjeçare i kujton me të njëjtin pasion. “Dede Kamberi dha shpirt në duart e mia në qelitë e burgut. Kurrë nuk do të harroj mirësitë e tij edhe nga ajo qeli burgu”, thotë Aliko.

Ai kujton më pas një mrekulli personale familjare të tij, të cilën ai ia dedikon Zotit dhe Dede Kamberit. “Nëna ime ishte e sëmurë shumë rëndë në atë kohë. Ishte me kancer. Shkoi në spital u operua dhe mjekët nuk i dhanë asnjë shpresë. Dede Kamberi më shikon të mërzitur dhe më pyet; çfarë ke bir?

I them, nëna është shumë e sëmurë dhe do të vdesë se është me kancer. Mjekët e kanë operuar dhe nuk i kanë dhënë asnjë shpresë. Dede Kamberi më përgjigjet pas pak minutash heshtje qe ne fakt ishin lutjet e tij; nëna jote do të shpëtojë, por duhet ta dërgosh edhe një herë që të futet në operacion. Pas operimit të dytë vërtet nëna shpëtoi nga sëmundja e kancerit.

Kohët në burg bashkë me Dede Kamberin e lidhën shumë Tomorrin me shenjtorin bektashi. Dje, Tomorri trokiti në dyert e gazetës pikërisht për Dede Kamberin. Nuk ishte asnjë përvjetor i Dede Kamberit, por një paçavure gazetë si “Dita” kishte botuar javë më parë një shkrim kundër Dedeit me mashtrime dhe spekullime të rëndomta dhe banale tipike të regjimit diktatorial.

Tomorri thotë se nuk mund të heshtë, se e ka detyrim përpara Dede Kamberit që të thotë të vërtetën dhe askush nuk mundet që ta denigrojë figurën e atij shenjtori. “Është e njëjta metodë e ateistëve komunistë kundër fesë që po përdoret edhe tani”, thotë Tomorri.

Tomorri kujton edhe një tjetër histori me Dede Kamberin dhe që për të është mjaft domethënëse. “Dede Kamberi para se të arrestohej kishte mundur që të gjithë pasurinë e Teqes t’ia kalonte myhibit të tij Mehmet Kasmi si amanet që atë t’ia kalonte Kryegjyshatës Botërore. Bëhej fjalë për 200 napolona ari.

Mehmeti në vitin 1945 arrestohet me akuzën e kulakut. E gjithë pasuria e Mehmet Kasmit sekuestrohet nga regjimi, ndërsa 200 napolonat e floririt ishin të ruajtura me kujdes në një qilar dhe Mehmet Kasmi mundi t’i shpëtonte ato.

Duke përmbushur amanetin e Dede Kamberit, Mehmet Kasmi i merr napolonat e floririt dhe bashkë me djalin e tij të madh Ademin më 17 mars 1956 i dorëzojnë në Kryegjyshatë tek Kryegjyshi Botëror, Dede Ahmeti.

Kujtime të hershme

Në fillim të vitit 1942 në moshën 17-vjeçare për të ndihmuar familjen ndërpreva studimet dhe punësohem në kafe Hotel “Europa” Tiranë që frekuentohej më shumë nga beratas, skraparlinj, gjirokastritë. Pronar ishte Muharrem Neviri nga Libohova, i cili më trajtonte si djalin e vet.

Në një dhomë të hotelit në katin e parë shpesh mblidheshin besimtarë bektashinj (Baballarë, Dervishë e Muhibë)

Më i moshuari dhe më i respektuari që nderohej nga të gjithë ishte “Baba Kamber Prishta”, i cili më shpesh e në veçanti takohej me dy myhibët e tij, me Mehmet Kasmin, tregtar dhe Muharrem Nevirin. Baba Kamberi këtu vinte çdo 10 ditë, kështu që kafe Hotel “Europa” u kthye në një qendër të bektashinjve.

Unë shërbeva atje gati tre vjet dhe respekti e dashuria për Baba Kamberin shtohej nga dita në ditë. Flitej se Nëna e Mbretit Zog dhe dy motrat e tij kishin marrë dorë te Baba Kamberi.

Kishin kaluar tre vjet kur në prill 1946 arrestohem dhe torturohem në birucat e Kalasë së Gjirokastrës. Torturohem nga hetuesit shpirt katranë të Sigurimit të Shtetit.

I lutesha Zotit të më mishëronte për të më dhënë kurajo që me ndershmëri të përballoja situatën. Shpesh më dilte para syve Baba Kamberi, duke më thënë: “Tomor o Bir, ki besim te i madhi Zot”.

Dola në gjyq, më dënuan 20 vjet. Më çuan në burgun e vjetër të Tiranës i sëmurë rëndë me temperaturë 40. Më çuan në dhomën ku ishin shtruar disa të sëmurë.

Atje ishte shtruar dhe  Baba Kamberi i cili vuante nga diabeti. Urgjent më shtruan në të ashtuquajturën infermieri të Spitalit Nr.1. në një dhomë të rezervuar për të sëmurët rëndë. Mbas disa ditë për çudinë time më sjellin me barelë në këtë infermieri, Baba Kamberin.

Nuk do të zgjatem më, por do të botoj vjershën time dedikuar Baba Kamberit, i cili mbas 10 ditësh që mbërriti në atë infermieri ndërroi jetë në duart e mia.

Reagimi i Tomorr Alikos

Në përgjigje të artikullit botuar në gazetën “Dita” dt.27 prill 2016, autorët e shkrimit të cilët synojnë të denigrojnë figurën e Kamber Prishtës (Meço), duke e quajtur “turpin e klerikëve bektashinj, tradhëtarë, bashkëpunëtorë me pushtuesit e tij.

Gjithçka që thuhet janë të pabazuara, megjithatë do të mundohem të jap një përgjigje sqaruese si lexuesve të gazetës “Dita” dhe më gjerë.

Baba Kamberi është nderi i Kombit , vlerësim i dhënë nga populli i krahinave ku ai ka shërbyer përfshirë këtu edhe popullin patriot të Skraparit, i cili e ka mbiquajtur “Prishta”, por i vlerësuar edhe nga institucioni i Presidentit të Republikës.

Ai që në muajin nëntor 1942, kur u formua organizata e Ballit Kombëtar në Qarkun e Beratit, është zgjedhur në shtabin e saj.

Përsa bëhet kjo përpjekje sot për të njollosur këtë njeri aq më tepër një kryegjysh Botëror të Bektashizmit dhe vetë Bektashizmit. Dhe akuzat vazhdojnë…Baba Kamberi që në nëntor 1942 kur u formua Balli Kombëtar në Berat u zgjodh në shtabin e tij. Eshtë gënjeshtër në stilin e propagandës komuniste. Tani nuk dënohet njeri pa fakte, bile ata që shpifin dënohen me ligj.

Akuzat e manipulatorëve të historisë; e thërret Ali Bej Këlcyra bashkë me Teki Xhindin dhe u ngarkon detyra, njërit të punojë me mehypët dhe tjetrit me masën tjetër në shërbim të Ballit. Eshtë graduar me gradën Kolonel nga fashizmi.

Sa për Ali Këlcyrën që e akuzoni se bashkëpunonte Baba Kamberi këtë e sqaron vetë Baba Kamberi. ”Ali Këlcyrën e kam takuar vetëm një herë ku fjeti një natë. Nuk kemi biseduar për çështje politike.(Arkivi MB dosja Kamber Meço).

Thoni se Baba Kamberi ka bashkëpunuar me pushtuesit se ai ka qenë eksponent i fashizmit me gradën kolonel. Absurditete. Është shumë e rëndë të thuash një gjë të tillë pa pasur asnjë fakt dhe asnjë dokument. Në arshivën e shtetit janë gjithë bashkëpunëtorët e fashizmit, por emri i Baba Kamberit nuk figuron gjëkundi, bile as në gjyq që u dënua me 15 vjet burg nuk ju tha një gjë e tillë.

Në gazetën e lartpërmendur është shkruar se Kamber Prishta ka qenë kundër kryengritjes së Fierit në vitin 1935, Fete dhe veçanërisht bektashinjtë kanë qenë dhe janë në çdo kohë “Vatra Atdhetarizmi”. Edhe Baba Kamberi i tillë ka qenë.

Sa për urdhërin e “Skënderbeut” dhënë nga Mbreti Zog ne e konsiderojmë si vlerësim nga Kreu i Shtetit (jo nga palo Mbreti siç thuhet në shkrim).

Dervish Kamberi mori pjesë aktive në organizimin e Kongresit të parë Bektashian në 17.1.1921 me teqenë e Prishtës Skrapar.

Në këtë Kongres, Dervish Kamberi u emëruar Baba dhe Gjysh i Teqesë së Prishtës nga Baba Ahmet Turani i Tepelenës, i cili drejtonte Kongresin. Sipas këtyre të dhënave ku është turpi dhe tradhtia e Baba Kamberit?

Dervish Kamberi në vitin 1910 shoqërohej për në “Haxhi Bektash” nga Baba Ahmet Turani dhe Baba Sulejmani i Teqesë së Gjirokastrës.

Në 1914, Dervish Kamberi shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbledhur ndihma për Teqetë, Mirëpritet nga Federata VATRA dhe nga At Fan Noli dhe Faik Konica.

Në 1912 u shpërngulën dhe u vendosën në ullishtat e Vlorës ku i ati, motra dhe nipat e mbesat, të Baba Kamberit u prekën nga nje epidemi. Falë kujdesjes së të vëllait të madh dhe Baba Ahmet Turunit shpëtoi nga vdekja.

Shenjtëria e tij, Baba Kamber Prishta drejtoi Kongresin e III Bektashian në Turan të Korçës 1929, ku u mundësua dhe ardhja e Kryegjyshit Botëror në Shqipëri, Sali Niazi Dede. Ne këtë Kongres historik morën pjesë 55 delegatë klerikë dhe laikë nga e gjithë Shqipëria ku u vendos që Gjysh Kamberi të drejtonte punimet e Kongresit.

Me këtë rast theksojmë miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë të Kryegjyshit me Gjysh Kamberin, të cilin e mbante gjithmonë në krahun e djathtë.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane iniciativën e kryegjyshit Dede Reshat Bardhi një vit para se të kalonte nga jeta 2010 u organizua në hotel “Tirana” 60-vjetori i kalimit nga jeta të Kryegjyshit Botëror Kamber Prishtës dhe Baba Muços, ku referuan klerikë dhe laikë për aktivitetin e tyre në shërbim të bektashizmit. Artikulli i gazetës “Drita” ka më se një muaj që u botua. Eshtë për të ardhur keq që askush nuk mori guximin që t’i përgjigjej.

Ja çka ka thënë Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi: “Jeta dhe vepra e Shenjtërisë së tij Dede Kamber Prishtës “Meço” ka qenë dhe do të mbetet shembull i shkëlqyer për të gjithë Islamin. Ai u mëkua me dashurinë në Zot dhe në rrugën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut”…

“Kryegjyshata Botërore e Bektashizmit me Seli ne Tiranë e çmon Shenjtërinë e tij Kamber Prishtën për përkushtimin dhe besnikërinë e tij. Ai refuzoi arratisjen nga Shqipëria në 1944, kur Dervish Rexhepi e të tjerë e lutën, por ja cilët ishin fjalët e fundit të tij.

“Unë kam qenë dy herë në SHBA në 1914 dhe 1918 me shërbim. Por çdo të thonë besimtarët“. Iku për të shpëtuar kokën. Unë gjithë jetën kam qenë kundër të pafeve. E dija që do të më arrestonin dhe ashtu ndodhi.

Baba Kamberit

Zot i Madh dhe fuqiplotë
Që krijove këtë botë
Si e le gjysmë shekull
Shqipërinë në tym e mjegull

Ishte viti pesëdhjetë
Vetëm shpirti na kish mbetë
Lëngonim në një gërmadhë
Rrallëkush dilte i gjallë

Për ne s’kishte kush mëshirë
Prisnim vdekjen n’errësirë
Po kujtoj Baba Kamberë
Që e sull me barrelë

E hodhën në shtrat, me fjalë e fyen
Mbyllën derën, qafën e thyen
Dridhej i tëri, ishte mesditë
Rënkoi thellë, mezi hapi sytë

Më njohu menjëherë, më thirri pranë
Më shtrëngoi dorën, më pyeti ku jam?
Rri i qetë i thashë, jemi në spital
Buzëqeshi ëmbël nuk tha asnjë fjalë

Dhjetë ditë lëngoi, s’bëri oh kurrë
I digjej trupi, kish temperaturë
S’kish oreks, me zor e ushqeja
Kosi i pëlqente, por me zor e gjeja.

Tre ditë, para se të ndërronte jetë
Ju çel fytyra, m’u duk më i qetë
Donte Baba Muçon, ta kishte pranë
Dervishin e Tij, që nga ay e ndanë

Po atë ditë, Babajt i qava hallë
Pse na mundon Zoti, ç’kemi bërë vallë
Jeta më ish mërzitur, humbur çdo shpresë
Kur lëngon njeriu, më mirë të vdesë

Bir më tha: Të mirët vuajnë, në këtë botë
Edhe foshnja kur lind, nuk qesh por qan me lotë
Nga ferri komunist, një ditë ke për të dalë
Për fakirët e shokët, shkruaj nja dy fjalë

Gjendja po rëndohej, ishte dit e dhjetë
I filloi gërhitja, ky sinjal i shkretë
Mori frymë thellë, hapi pak sytë
Diçka do t’më thoshte, ju sosën fuqitë

E mbajta në gjoks, gjersa e kuptova
Që shkoi në atë jetë, nurin ia mbulova
Atë natë e gdhiva, gjersa u bë ditë
Gjer në momentin që e muar jezitë

Tomorr Aliko
Infermieri i Spitalit të Burgut
Dhoma e vdekjes
Gusht 1950