Përse kritikohet Obama?

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi autenticitetin e një dokumenti të brendshëm diplomatik të nënshkruar nga rreth 50 zyrtarë, që kritikojnë administratën Obama për mënyrën se si e ka trajtuar luftën civile në Siri dhe që bëjnë thirrje për sulme ajrore me objektiv qeverinë siriane.
Dokumenti doli nga një kanal i brendshëm komunikimi i Departamentit të Shtetit, i cili u lejon punonjësve dhe diplomatëve, që nuk janë dakord me politikën e administratës, të shprehin shqetësimet ndaj eprorëve, pa patur frikë nga hakmarrja e tyre.
John Kirby, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, e konfirmoi legjitimitetin e dokumentit, por nuk dha hollësi për përmbajtjen e tij.
“Ne jemi në dijeni të një dokumenti të brendshëm ku një grup zyrtarësh të Deparatmentit të Shtetit kanë shprehur mospajtime lidhur me gjendjen në Siri”, tha zoti Kirby. “Jemi duke e studiuar këtë dokument, që doli kohët e fundit”, tha ai.
Dokumenti, i cili ra në dorë të gazetës “New York Times” i kërkon administratës Obama “të përdorë me mençuri konfrontimin dhe armët ajrore”, për të angazhuar drejtpërdrejt ushtrinë siriane dhe për të përshpejtuar fundin e luftës civile, që deri tani i ka marrë jetën rreth 500 mijë njerëzve.
“Arsyeja morale për ndërmarrjen e hapave për t’i dhënë fund vdekjeve dhe vuajtjeve në Siri, pas 5 vjet lufte brutale, është e qartë dhe e padiskutueshme”, thuhet në dokument. “Statuskuoja në Siri do të vazhdojë të përbëjë sfida gjithnjë e më të tmerrshme, ndoshta katastrofike, humanitare, diplomatike dhe që lidhen me terrorizmin”.
Deri tani, politika e administratës në Siri ka qenë kryesisht e kufizuar tek ndihma për forcat rebele që luftojnë kundër presidentit sirian Bashar al-Assad dhe Shtetit Islamik. Shtetet e Bashkuara nuk i janë kundërvënë hapur Assadit dhe forcave të tij të mbështetura nga Rusia.
Sekretari i Shtetit, John Kerry tha sot në një konferencë me gazetarët në Kopenhagë, se ai ende nuk e ka parë dokumentin, por shtoi se do ta diskutonte këtë çështje me t’u kthyer në Uashington.
“Unë nuk kam patur rastin ende ta shoh dokumentin, por jam dakord me procesin. Është një proces i shkëlqyer. Ai u jep njerëzve mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre. Mendoj se është një deklaratë e rëndësishme dhe unë e respektoj shumë këtë proces”, tha Sekretari Kerry.