Avokati: Nuk e përjashtoj se gjyqtarët u kërcënuan

Maks Haxhia, avokati i Drejtort te Tatimeve te Tiranes, Androkli Kokthi, gjate nje seance gjyqesore ne Gjykaten e Tiranes, ku eshte dhene masa e sigurise arrest me burg./r/n/r/nMaks Haxhia, lawyer of Director of Taxation in Tirana, Androkli Kokthi, during a hearing in the Court of Tirana.

Gjykata e Apelit i ka hequr dje pezullimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i pezulluar në 7 qershor, pasi u gjet i përfshirë në skandalin e përgjimeve të paligjshme, për të cilin Prokuroria është duke hetuar edhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm, mes tyre edhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Vendimi i Gjykatës u dha në një atmosferë terrori që shpërtheu gjatë tre ditëve të fundit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që merren me skandalin e përgjimeve.
Gjykata e Apelit është dorëzuar para presionit dhe nuk ka mundur të dalë mbi kërcënimet e kreut të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm.
I pari që dha lajmin ishte avokati mbrojtës i Haki Çakos, Maks Haxhia, i cili tha para gazetarëve se drejtori i Policisë së Shtetit u rikthye për shkak se “nuk ka dyshime të arsyeshme që ka vepër penale”.
Në vendimin e Apelit të Tiranës, thuhet se dyshimi i arsyeshëm i Prokurorisë ndaj Haki Çakos ekziston, në lidhje me pajisjen ilegale përgjuese të përdorur nga policia. Në vendim gjithashtu thuhet se nuk ka shkelje në procedurë nga ana e Prokurorisë.
Përveç faktit që Gjykata e Apelit vlerëson se dyshimi për vepër penale është i arsyeshëm, thuhet se nuk rrezikohet prishja e provave.
Kjo është arsyeja që Çako u lejua të rikthehej në detyrë, pasi nuk rrezikohet që të prishen provat e hetimit, deri në përfundim të çështjes së skandalit të përgjimeve me aparaturën IMCI Catcher.
Avokati Haxhia nuk përjashtoi presionet dhe kërcënimet që ka pasur ndaj gjyqtarëve, duke u shprehur qartë se, “Unë nuk mund të mohoj dhe as përjashtoj presionet ndaj gjyqtarëve në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Haxhia.
Por nëse sot Çakos i është hequr pezullimi nga Apeli, pak më shumë se 1 muaj më parë, kreu i Policisë së Shtetit i ka shpëtuar prangave vetëm për një detaj të vogël. Mesditën e 13 majit, Haki Çako ishte duke u arrestuar në flagrancë me urdhër të Prokurorisë për skandalin e përgjimeve, por atë e ka shpëtuar vetëm fakti se nuk ishte informuar për mos zhdoganimin e pajisjes së përgjimit të ardhur nga Italia.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që Prokuroria, kur ka shkuar në Gjykatë nuk ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Haki Çakon, siç bëri për dy punonjësit e tjerë të policisë, por vetëm pezullim nga detyra.
Sipas Prokurorisë në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Haki Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe, për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.

Çfarë ndodhi në 13 maj 2016

Në datën 13 maj 2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 13 maj 2016, midis orës 11:45 dhe 12:00.
Në këto ambiente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe oficerët kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12:10 nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e F.P.O. automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga këto ambiente në drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta, pasi O. P. Gj-të ishin paraqitur në D. P. Policisë me vendimin për sekuestrimin e kësaj pajisje.
Nga krahasimi i periudhës para datës 12 maj 2016 dhe pas kësaj date, Prokuroria dyshon se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të F. P. O. dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

Dëshmia e Çakos: Pajisja e përgjimit u përdor në mënyrë të jashtëligjshme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako  ka pranuar para hetuesve që aparatura e përgjimit ka bërë përgjime në Shqipëri. Pasditën e 17 majit, kur Haki Çako është marrë në pyetje nga prokurorja Anisa Qilimi ka pranuar se kjo pajisje, përveç trajnimit është përdorur nga forcat operacionale të policisë për gjurmimin dhe identifikimin e numrave të telefonit të personave me rrezikshmëri shoqërore. Burimet thonë se, Çako ka pranuar se me këtë aparaturë është bërë gjurmimi i numrit të telefonit të Vladimir Gjutës dhe më pas arrestimi i tij në rrugën e “Kombit”. Ky veprim hetimor ndaj Gjutës, me këtë pajisje përgjimi burimet thonë se është kryer pa miratimin e prokurorit. Përveç këtij rasti, që Çako e ka theksuar para hetuesve, ai ka thënë se me këtë pajisje janë arrestuar edhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtoheshin. Për prokurorët, ky pohim i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, që tashmë është pezulluar me vendim Gjykate, tregon edhe njëherë se pajisja është përdorur për gjurmime dhe identifikim të numrave të IMEI pa lejën e Prokurorisë dhe në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, në dosjen e Prokurorisë thuhet se, Çako ka qenë kontradiktor në komunikimin me prokurorët. Pasi më 9 maj me një shkresë të dërguar pranë Prokurorisë, Haki Çako konfirmon se ka hyrë në Shqipëri një aparaturë e quajtur “IMSI Catcher”. Në këtë shkresë, në pikën dy ka thënë se kjo aparaturë është sjellë nga specialistët e Policisë italiane në kuadër të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit për trajnime. Dhe në pikën tre, Çako thotë se, kjo pajisje shërben për të identifikuar numrat IMEI dhe nuk shërben për përgjim. Tetë ditë më pas, thuhet në dosjen, gjatë marrjes në pyetje në prokurori, Çako ka thënë se aparati IMSI Catcher është në gjendje të identifikojë numrat IMEI të çdo aparati telefonik dhe se nuk ka asnjë dijeni për regjistrimin doganor të hyrjes së kësaj pajisje. Edhe pse ligji e ngarkon atë për të marrë masa për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”. Kjo pajisje, thuhet në dosje, ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm në bazë të legjislacionit doganor dhe pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.

Procedimi penal ndaj Çakos

Haki Çako, në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.
I dyshuari Çako ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në bazë të Marrëveshjes së vitit 2007 për mbështetjen teknike të policisë shqiptare nga ana e INTERFORZE-s italiane, u takon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet në përputhje me ligjin, siç janë hyrja e rregullt e pajisjeve të tilla në Republikën e Shqipërisë. Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.
Po ashtu, shtetasi Çako ka deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë. Ndërkohë, rezulton që në të paktën dy raste, mjeti ku gjendej pajisja, ka lëvizuar nga specialisti i FO, Ention Xhelilaj.
Gjithashtu, në dt. 13.05.2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 13.05.2016, midis orës 11:45 dhe 12:00. Në këto ambiente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe oficerët kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12:10 nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e FPO automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga këto ambiente në drejtimin e shtetasit shqiptar, Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi OPGj-të ishin paraqitur në DPPolicisë me vendimin për sekuestrimin e  kësaj pajisjeje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12.05.2016 dhe pas kësaj date, Prokuroria dyshon se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të FPO dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.