Përplasje me armë, plagoset kalimtari në Rrogozhinë

Dy vëllezër janë shpallur në kërkim nga policia pasi një ditë më parë në Rrogozhinë kanë qëlluar për të vrarë dy persona. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur një i moshuar, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia thanë se, ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në orën 11:00 në dalje të Rrogozhinës, ku dy vëllezërit Elvin dhe Besnik J., të moshave 26 dhe 28 vjeç, të dy punonjës të burgut të Rrogozhinës kanë qëlluar me armën e shërbimit për të vrarë dy persona të tjerë me inicialet K. P., dhe D. D., të moshave 42 vjeç dhe 26 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në dalje të Rrogozhinës. Por fatkeqësisht plumbat e nxjerrë nga armët e dy policëve të burgjeve kanë plagosur një kalimtar të rastësishëm, i cili është dërguar në spital, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bëhet fjalë për 86-vjeçarin me inicialet H.H. Por dy vëllezërit policë kanë dhunuar edhe njërin prej shënjestrave të tyre, i cili ndodhet në spital.
Me t’u njoftuar, policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, që fatmirësisht nuk ka përfunduar në një tragjedi. Gjatë veprimeve në vendin e ngjarjes uniformat blu kanë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një makinë tip “Hyndai”, ndërsa dy vëllezërit janë shpallur në kërkim.