Gjici 275 milionë për sigurinë e godinës së OSHEE në Burrel

Safet Gjici, ish-prefekt i Kukësit dhe një nga eksponentët e PS ka marrë këto ditë nga OSHEE më shumë se 275 milionë lekë për ruajtjen fizike të ndërtesave të OSHEE në Burrel. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka shpallur fitues të tenderit kompaninë e Gjicit “Eurogjici Security” shpk pa asnjë konkurrent tjetër. Skandali është zbuluar nga “citynews”. Në vijim të denoncimeve të tenderave me hije dyshime, “citynews” sjell rastin e një tenderi të fituar me 100% të fondit limit.
Bëhet fjalë për “Shërbim sigurie për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, njerëzve dhe pronave të Drejtorisë Rajonale të OSHEE sh.a, Burrel”, me fond limit 27,534,649 lekë pa TVSH. Tenderi në fjalë është fituar nga subjekti “Eurogjici Security” shpk, i cili ka paraqitur ofertën 27 534 439.03 lekë pa TVSH. Pra, tenderi është fituar me 99.9999% të vlerës.
Por ky nuk është elementi i vetëm që përbën skandalin e radhës të OSHEE-së. Siç duket edhe nga dokumenti, fituesi i tenderit praktikisht është ofertuesi i vetëm në garë. Kjo pasi ofertuesi tjetër nuk ka paraqitur ofertë, duke çuar automatikisht në shpalljen fitues të subjektit “Eurogjici Security”.
Safet Gjici është një nga themeluesit e “Eurogjici Security”, si dhe aktualisht drejtues teknik në këtë kompani. Ai ishte kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të vitit 2016 në Kamëz, ku humbi përballë rivalit Xhelal Mziu. Para se të kandidonte për Bashkinë e Kamzës, Gjici ka qenë prefekt i Kukësit, i emëruar më 27 mars 2014.
Ky nuk është rasti i parë që OSHEE, me porosi të Ramës i jep Safet Gjicit miliona lekë pa tender për ruajtjen e objekteve. Deri tani, gjatë këtyre tri viteve, Gjici ka përfituar pa tender më shumë se 10 miliard lekë, për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike.
Safet Gjici, pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra.
Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, “Eurogjici”. Brenda dy viteve, përmes kompanisë “Eurogjici Security”, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, “Eurogjici” ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë vitit 2015, “Eurogjici” ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marrë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera. Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës.
Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurogjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të 2015 për blerjen e votave. Mediat kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.