Si gënjeu Tahiri Parlamentin: Nuk ka pasur dhe s’ka pajisje përgjimi

Ministri i Brendshëm ka gënjyer Parlamentin në lidhje me pajisjen e përgjimit. Tahiri ka gënjyer kur ka thënë se pajisja është përdorur vetëm nga italianët dhe ka thënë se ajo është përdorur vetëm për trajnim. Tahiri ka gënjyer po ashtu Parlamentin kur ka thënë se pajisja nuk ka aftësi përgjuese, gjë e cila është hedhur poshtë edhe nga drejtori i Policisë në Prokurori.
Dëshmia në Prokurori e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Çako ka konfirmuar mashtrimin e Tahirit. Sipas Çakos pajisja nuk është përdorur vetëm për trajnim, por ajo është përdorur edhe për përgjimin e elementëve kriminalë. Përderisa kjo është bërë pa dijeninë e Prokurorisë, kjo implikon direkt tani jo më vetëm drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, por edhe eprorin e tij, Tahiri.
Tahiri: Unë nuk kam thënë në emision që Policia e Shtetit disponon një pajisje që kryen përgjim, kam thënë që disponohet një pajisje funksioni i së cilës dihet, që është në pronë menaxhim, disponim, përdorim nga partnerët italianë. Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk ka mundësi të ketë një pajisje të tillë përgjimi. Kam thënë që është një pajisje për qëllime trajnuese dhe mësimore që nuk bën përgjim. Edhe juve kishit dijeni nga mediat. Se mesa kuptoj në këtë komision një informacion zyrtar nuk ka. Unë nuk merrem dot me thashethemet e ditës se nuk më del koha. Gjatë kohës që unë jam në detyrë Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme do të respektojë ligjin. Nuk besoj të jetë ndaluar Prokuroria për të bërë detyrën e saj. Pjesë e reformës tonë në Policinë e Shtetit është edhe zbatimi i ligjshmërisë dhe detyrimi për strukturën dhe çdo punonjës që të zbatojë ligjin. Nëse në të kaluarën ata që vrisnin në shesh, strehoheshin aty, sot nuk ndodh ashtu.
Noka: Janë lejuar të sekuestrojnë pajisjen apo janë ndaluar?
Tahiri: Policia e Shtetit zbaton çdo urdhër të prokurorit. Në rast se juve përveç informacioneve vërdallë dini ndonjë gjë konkrete që policia ka penguar punën e policisë unë jam gati t’ju përgjigjem.
Noka: A është e vërtetë kjo që shkruhet në media?
Tahiri: Unë ju sugjeroj të pyesni prokurorin e Përgjithshëm ose burimin e informacionit.
Noka: Nuk më duhet garancia jote. Ke dijeni apo jo?
Tahiri: Unë ju jap dijeni me garanci.
Tahiri: Përballë detyrës sime ju deklaroj këtu se Policia e Shtetit nuk ka ndaluar kurrë asnjë hetim të Prokurorisë.
Noka: Pajisja ka hyrë me regjistrim?
Tahiri: Ligjshmërinë apo paligjshmërinë e tyre e përcakton prokurori. Rezervohem t’ju jap opinione të miat. Për ligjshmërinë apo paligjshmërinë, ju ftoj të shihni përgjigjet e hetimeve të Prokurorisë.
Noka: Drejtori i Policisë tha se nuk ka pajisje, por ju e konfirmoni se ka një pajisje: E nxorët gënjeshtar. A është e regjistruar kjo pajisje?
Tahiri: Kjo pajisje që nuk është për përgjim dhe nuk ka as pamundësi fizike të jetë për përgjim, është në përdorim nga punonjësit e policisë italiane, të cilët i falënderoj për dijen që u jep punonjësve tanë. Kjo pajisje nuk ofron përgjim, as fizikisht nuk e ka kapacitetin për të bërë përgjim. Nëse do të ishte e kundërta unë dhe ministri i Brendshëm italian paskemi shkelur ligjin. Kjo nuk mund të ndodhë.
Dogjani: Nuk më thatë për çfarë trajnohen policët, për përgjimin? Çfarë pajisje është dhe çfarë trajnimi bën?
Tahir: Për llojin e trajnimit jam i sigurtë që është brenda funksionit dhe përmbushjes së funksionit të Policisë së Shtetit. Duhet të pyesni teknikët e trajnimit. Policia e Shtetit i ka dhënë Prokurorisë të gjitha të dhënat, mund të shkoni të interesoheni dhe të merrni vesh çfarë trajnimi është. Quhen trajnime gjatë punës.