Si gënjeu Çako në Parlament: Nuk ka asnjë pajisje përgjimi

Provat e siguruara nga Prokuroria tregojnë se skandali është akoma dhe më i rëndë. Ministri i Brendshëm, drejtori i policisë dhe zyrtarë të tjerë që janë marrë në pyetje kanë gënjyer nën betim Komisionin e Sigurisë së Parlamentit.
Prokuroria ka bërë prezente dje provat e lëvizjes së pajisjes së përgjimit nga Drejtoria e Policisë në kohën kur atje kanë mbërritur prokurorët për të bërë sekuestrimin e pajisjes. Në Komisionin e Sigurisë Çako deklaroi se nuk ka pasur fare një pajisje përgjimi.

Noka: A ekziston në dijeninë tuaj një pajisje e tillë përgjimi apo lokalizimi e futur në territorin e Shqipërisë dhe a keni dijeni në pronësi të kujt është nëse ekziston?
A keni dijeni kush e ka sjellë, në çfarë rrugësh ka hyrë, ku ka hyrë dhe a është zbatuar ligji dhe procedura ligjore për futjen dhe administrimin e kësaj pajisjeje që në rast se është, e posedojnë?
Çako: Prej disa ditësh në lidhje me këtë fakt ka filluar një procedim penal për të cilin jam vënë në dijeni dhe në kontakt dhe zbatim të ligjit kam vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme të burimeve njerëzore dhe dokumentare të Policisë së Shtetit. Çdo element që kërkon zbardhjen apo trajtimin lidhur me çështjen e konsideroj si çështje që do duhet t’ua japë hetimi dhe Prokuroria. Jam i hapur për t’i shërbyer hetimit që do të jetë ai që do të konkludojë për të gjithë aspektet për veprimet e ligjshme dhe të paligjshme të policisë apo kujdo qoftë. Kategorik jam që Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka pajisje gjurmuese dhe nuk ka organizuar asnjëherë gjurmim telekomunikacioni për askënd.

Noka: Ministri e ka pranuar në një emision televiziv që ekziston një pajisje e tillë dhe ka pohuar që është thjesht pajisje gjurmimi. Ju sapo e konfirmuat që nuk ekziston një pajisje e tillë.
Çako: Nuk konfirmova mosekzistencën, thashë që ka filluar procedim penal.

Noka: Ju pyeta a keni dijeni që pajisja është futur në Shqipëri, po apo jo?
Çako: Hetimi qëllimin final këtu e ka, ekziston apo jo? Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka një pajisje të tillë në dispozicion apo inventar. Nuk kemi pasur dhe nuk kemi në inventarin e policisë një pajisje të përgjimit të telekomunikacionit.

Noka: Pajisje të futur në rrugë joligjore në territorin e Shqipërisë ka apo nuk ka?
Çako: Policia e Shtetit nuk ka një pajisje të përgjimit telefonik.