Prokuroria: Po mbillet drogë në të gjithë vendin

Fakti se po mbillet drogë në gjithë vendin, nuk është më vetëm konstatim mediash. Vetë organi i akuzës ngre alarmin se janë shtuar parcelat me drogë dhe jo vetëm, drogë po mbillet edhe në tunele. Është zbuluar një qarkore që Prokuroria e Përgjithshme ka shpërndarë në prokuroritë e rretheve ku ngre shqetësimin për kultivimin e kanabisit.Burimet thanë se Prokuroria edhe pse vlerëson punën e organeve ligjzbatuese në luftën kundër këtij fenomeni, vë re me shqetësim se tendenca për kultivimin e drogës është shtrirë në të gjithë vendin. Në qarkore nënvizohet se në pjesën më të madhe të rasteve, kultivuesit e bimëve narkotike kanë shfrytëzuar sipërfaqe toke që janë në pronësi publike apo të ish-komunave, kryesisht pyje e kullota apo pranë burimeve të ujit dhe larg qendrave të banuara. Burimet thonë se në qarkore nënvizohet se kohët e fundit është vërejtur tendenca e kultivimit të bimëve edhe në ambiente të mbyllura si tunele, magazina dhe ndërtesa të vjetra apo edhe serra ku për rritjen e drogës përdoret energjia elektrike, ndërkohë vetëm në orët e fundit Policia e Tiranës dhe e Gjirokastrës njoftuan për shkatërrimin e 7 100 rrënjëve kanabis sativa.