Betonizimi i parkut dhe rënia e ligjit para arrogancës së pushtetit

Parku i lojërave, inaugurimi i të cilit u reklamua me këmbëngulje nga kryebashkiaku Veliaj për datën 1 Qershor, tashmë përfundoi. Por, beteja mes dyshes Rama–Veliaj dhe një grupi qytetarësh të panjohur dhe jo të mirorganizuar, ka lënë efekte dhe dëshmi politike jo të papërfillshme. Kjo ngjarje ka krijuar plagë dhe mllefe të thella në kupolën politike. Këtë e dëshmojnë edhe sulmet e fundit ndaj Presidentit Nishani, ku shpesh drejtues të lartë të qeverisë i janë drejtuar me emrin “Presidenti i Parkut të Lojërave”. Ja se çfarë doli në pah nga protesta e Parkut të Liqenit: Protesta i tregoi popullit fytyrën e vërtetë të kryebashkiakut Veliaj, i cili nuk respekton ligjet, gënjen dhe kujdeset vetëm për të zbatuar urdhrat e dëshirat e mentorit të tij.
Protesta nxori në pah pabesinë e Erion Veliajt, i cili erdhi në pushtet duke premtuar “Zero Beton” dhe vetëm pak muaj pasi fitoi, betonizoi të paktën dy mijë metra katrorë në Parkun e Liqenit.
Protesta na tregoi se koncepti i shtetit sipas Rilindjes është të shkelësh ligjin, të mos përfshihet qytetari në vendimmarrje, të veprosh në mënyrë korruptive dhe aspak transparente.
Protesta tregoi drejtimin e gabuar të qeverisë, e cila përpiqet të manipulojë opininon e qytetarëve duke i gënjyer me lojëra fëmijësh për të fshehur interesa më të mëdha të lidhura me ndërtime pallatesh në Parkun e Liqenit, në vend që t’i përfshijë në një debat të vërtetë mbi interesat e përgjithshme.
Protesta tregoi se rilindasit nëpërmjet kriminalizimit dhe delegjitimizimit të vazhdueshëm të kundërshtarit besojnë se kush fiton merr gjithçka, bën çfarë të dojë, pa asnjë respekt për mendimin ndyshe apo për procedurat që parashikon ligji dhe statuti.
Protesta na mësoi se falë mediave sociale dhe disa portaleve online tashmë nuk mund të fshehësh një lajm apo ngjarje dhe përhapja e lajmit nuk është më në dorë të mediave të blera të pushtetit.
Protesta tregoi se pavarësisht protestuesve profesionistë me pagesë, ekziston një grup i vogël qytetarësh, i pakorruptueshëm nga pushteti apo paratë, të aftë të shprehin publikisht mospëlqimet e tyre, i cili nuk mundet veçse të rritet”.

Me fëmijët, jo për fëmijët

Gjatë ditës së djeshme pati disa aktivitete me fëmijë, por jo për fëmijët. Përveç se çdo ditë të vitit politikanët tanë luajnë me të ardhmen e fëmijëve, sot, luajtën edhe me shëndetin dhe formimin e tyre.
Në rastin e parë, gjatë aktivitetit në Spitalin Pediatrik në Tiranë, gjatë kohës së shfaqjes nuk u lejua hyrja e rasteve emergjente në urgjencë.
Ndërsa, në rastin e dytë, gjatë përurimit të parkut të lodrave të shumëpërfolur, ku i kthejmë fëmijët tanë shumë vite mbrapa, madje edhe më mbrapa se koha e prindërve tanë, kur u paraqesim si të drejtë dhe të bukur një instalacion të përbërë kryesisht nga materiale artificiale dhe ende të pasqaruar nga ana ligjore.
Përdorimi i fëmijëve nga politika për imazh është tmerrsisht efikas, pasi apelon pjesën tonë më të ndjeshme, më emocionale dhe njëkohësisht, më pak racionale.
Nuk po vë në pikëpyetje legjitimitetin e interesit privat. Politika tashmë është bërë njësh me tregun e lirë, ku ka konkurrencë nëpërmjet reklamave. Problemi qëndron kur interesi privat shitet si interes publik. Si edhe, kur përdoren teknika persuazive që orientohen te emocionet, drama dhe ekzagjerimi, duke përfshirë pikërisht ata që ende nuk kanë personalitet vetjak dhe as kapacitet për të qenë racionalë: fëmijët.
Nuk është se minorenët janë të paaftë nga ana intelektuale, por e perceptojnë botën kryesisht duke u nisur nga horizonti i të rriturve. Ekziston një problem thellësisht etik – mungesë respekti ndaj të drejtave më themelore, kur përdoret për qëllime “politike” një sektor i popullatës që, me ligj, nuk është ende i autorizuar të marrë pjesë në procese zgjedhëse. Nuk mund të përdoren të mitur, mbi të gjitha kur mesazhi nuk i drejtohet vetë popullatës së fëmijëve, por aktorëve politikë.
Qeverisja rilindase nuk u ka vjedhur shqiptarëve vetëm shpresën dhe besimin se diçka mund të ndryshojë, por, dje, u vodhi edhe fëmijëve ditën.

“Exit.al”