Sadiku “trazon mendimet” e De Biasit

Armando Sadiku mund të rezultojë njeriu kyç në sulmin e Shqipërisë. Bomberi i lindur në Elbasan po kalon një moment të artë në aspektin personal. Një sezon i kurorëzuar me mbijetesën e Vaduzit në Superligën e Zvicrës ku shënoi 7 gola vendimtarë, ndërsa nuk di të ndalet as kur vesh fanellën kuqezi. Rrjeta spektakolare kundër Katarit është e fundit në radhën e gjatë të golave që 25-vjeçari ka sigluar gjatë këtij sezoni, duke vënë në mendime edhe trajnerin Gianni De Biasi, i cili mund të ndryshojë hierarkinë në majën e sulmit edhe pse Balaj e Cikalleshi konsideroheshin titullarë vetëm pak javë më parë. Shifrat i japin të drejtë Sadikut, i cili me fanellën e Kombëtares ka realizuar 4 gola.
Ndaj Katarit, Luksemburgut dhe Armenisë ai edhe pse nuk është aktivizuar titullar nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë e trajnerit, ndërsa një tjetër rrjetë ka arritur ta prekë në vitin 2012 kundër Qipros në ndeshjen eliminatore të Botërorit të fituar 3-1. Në krahun tjetër, Sokol Cikalleshi mbetet një kandidaturë e fortë, por shtyllat e panumërta e kanë penalizuar, duke e ndalur në kuotën e 2 golave si kuqezi kundër Luksemburgut dhe Gjeorgjisë, ndërsa Balaj mbetet në kuotën 1 edhe pse ai gol në transfertën e Portugalisë do të mbahet mend gjatë jo vetëm për rëndësinë që i dha garës së kualifikimit, por edhe për realizimin perfekt. Gjithsesi, kohët kanë ndryshuar dhe duket se De Biasi kërkon të ndryshojë fytyrën e skuadrës, Sadiku ndoshta në ndeshjen e radhës do të ulë në stol dy rivalët e tij, sepse ky është momenti i tij.
Një ditë e re ka nisur, stërvitja e paradites ka qenë disi ndryshe për kuqezinjtë në Bad Waltersdorf, ndryshe nga një ditë më parë, De Biasi nuk e ka bërë rrugën në këmbë me Dukën, por ka preferuar biçikletën, ndërsa Presidenti është shoqëruar nga Erjon Bogdani. Në fushë për të parën herë 23 futbollistë, pas largimit të Rashicës, Rrahmanit, Shalës e Gjimshitit çka ka bërë që dhe atmosfera të jetë disi ndryshe. Gjithsesi çdo medalje ka dy anë dhe tanimë 23 futbollistët e mbetur mund të jenë më të qetë pa ankthin nëse do të jenë apo jo në Europian.
Seanca stërvitore ka zgjatur rreth 75 minuta, një çerek ore nxemje, dhe pastaj me 3 portierët që janë veçuar me përgatitësin Ilir Bozhiqi për 20 futbollistët e tjerë një 30 minutësh përgatitje fizike nën drejtimin e Alberto Belle për të rritur ngarkesën, në ditën e fundit ku janë parashikuar dy seanca stërvitore, pasi të enjten kuqezinjtë do të nisen drejt Bergamos ku do të zhvillojnë një seancë të vetme në orën 15:00 atë të ndeshjes me Ukrainën. Këtë herë taktika ka qenë e fokusuar te lojtarët e krahëve, me futbollistët që janë ndarë në dy skuadra me nga 11 lojtarë, ku natyrisht letrat ishin të përziera për të mos dalluar një formacion titullarësh dhe një rezervash, me Roshin, Agollin, Gashin dhe Lenjanin që qëndronin jashtë piketave, duke punuar me krosimet e gjata dhe pasimet në zonë.