De Biasi nervoz!

Reduktimi i listës ka qenë padyshim një vendim i vështirë, me De Biasin që ka dalë para kamerave në konferencën për shtyp pa mundur ta fshehë tensionin. Fillimisht trajneri ka ruajtur qetësinë teksa ka shpjeguar vështirësinë e vendimmarrjes dhe mënyrën e komunikimit të vendimit te lojtarët. “Ishte shumë e vështirë, një vendim i vuajtur dhe i trishtë, për të cilin kemi bërë disa vlerësime të thella dhe jo sipërfaqësore. Lojtarëve ua komunikova në rrugën më normale dhe natyrale, gjërat duhen thënë si janë dhe pa komplekse në mënyrë të drejtpërdrejtë. Me sinqeritet dhe pa fjalë të tepërta për t’i thënë arsyet pse nuk erdhën në Francë”, u shpreh De Biasi.
Lojtarët kanë pranuar vendimin me De Biasin që jep dhe parimin mbi të cilin ka bërë zgjedhjen.
“Ju shpjegova futbollistëve arsyet dhe se çfarë më shtyu t’i çoja në shtëpi. As ata nuk e dinin që do të iknin, gjithçka erdhi në bazë së atyre që kanë bërë këtu dhe në bazë të bindjeve të mia se kush është më i dobishëm në Francë”, tha ai.
Trajneri që në fillim i ka paraprirë situatës, duke mos dashur të hyjë në shpjegimin individual për çdo lojtar, diçka në fakt e shumëpritur nga opinioni publik. “Nuk duhet të hyjmë në emra të përveçëm. Zgjedhjet janë të motivuara për arsye teknike dhe fizike. Mora ata që mendoj se janë më të mirët dhe më të gatshëm për të ndihmuar skuadrën në Europian. Ju kisha thënë lojtarëve që jemi 27, por në fund do mbeten 23”, tha De Biasi.
Megjithatë për përjashtimin e Berat Gjimshitit e ka dhënë një motiv. “Gjimshiti ka një vit që nuk luan”, tha ai.
Për Rashicën po ashtu. “Rashica nuk ka luajtur shumë me ne, kam besim te ai, por në të ardhmen do të jetë pjesë e kombëtares. Me ne luajti 25 minuta me Luksemburgun dhe një pjesë me Katarin”, tha De Biasi.
Kur pyetjet kanë vijuar për Shalën dhe Rrahmanin tonet janë nxehur. “Nuk mund t’u them atë që ju thashë atyre personalisht. Duhet të bëjmë tjetër diskutim. Jam unë që bëj zgjedhjet, a mund t’i bëj? janë këto që na sollën deri këtu. Nëse dëshironi të bëni me sondazhe, atëherë do të shohim ku do të shkoni. Ja kam shpjeguar lojtarëve arsyet dhe jo juve”, tha De Biasi.
Situatë që ka qenë e vështirë të mos ketë pasojë dhe kur është folur për kundërshtarin e radhës Ukrainën dhe atë se çfarë pret trajneri nga kjo ndeshje. “Nuk e di se kujt i ngjan Ukraina nga kundërshtarët që kemi në grup. Për ne vlen vetëm për veten tonë, të shohim se ku jemi dhe të testojmë veten. Pres që skuadra të luajë një ndeshje të mirë, të jetë e kujdesshme në mbrojtje dhe të vijojë rrugën në gjetjen kondicionit fizik”, tha trajneri i Kombëtares.
Ndoshta e vetmja temë që mund të qetësonte pak gjakrat ishte ajo e tifozëve. Në Bergamo përballë Ukrainës, pritet të jenë të shumtë dhe impresionues, ashtu siç ishin në përballjen e Genovas me Italinë. “Nëse do të ketë shumë shqiptarë padyshim që do të jemi shumë të kënaqur, pasi tregon që kjo skuadër tërheq interes. Do të përpiqemi t’i kënaqim të gjithë, pasi ata janë lojtari i 12-të”, përfundoi De Biasi.