Bizneset, 7571 kërkesa për çregjistrim për 5-mujorin, rriten 25%

Hapen 9800 biznese të reja në 5 muajt e parë të 2016-ës, ndërkohë që gati 7600 të tjerë duan të mbyllin aktivitetin…
Janë 7571 biznese që kanë bërë kërkesë për t’u çregjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) gjatë pesë muajve të parë të vitit, sipas të dhënave zyrtare nga QKB.
Sipas QKB, nga të dhënat statistikore rezulton se, aplikimet për çregjistrim për periudhën kohore janar – maj vitin 2016 kanë pësuar një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2015.
Kërkesat më të mëdha për çregjistrim janë bërë në shkurt, me rreth 2800 të tilla, dyfishin me shkurtin 2015, ndërsa mesatarisht çdo muaj ka pasur mesatarisht mbi 1200 kërkesa për çregjistrime nga bizneset (me përjashim të majit, po gjithsesi të dhënat nuk janë të plota për gjithë muajin).
Të dhënat e detajuara për aplikimet për çregjistrim të ndara në muaj, për periudhën kohore janar – maj vitin 2015 dhe janar – maj vitin 2016, janë të pasqyruara në tabelën më poshtë:
Por, jo të gjithë bizneset arrijnë të çregjistrohen. Sipas të dhënave të mëparshme të QKB-së, për 4-mujorin u çregjistruan vetëm rreth 2500 biznese, apo gati tre herë më pak se kërkesat për çregjistrim.
Sipas të dhënave zyrtare për pesë mujorin u regjistruan rreth 9800 biznese të reja 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Nga këto 680 janë të huaja.

QKB: Çregjistrimi tani bëhet për 30 ditë

Sipas të dhëave nga QKB, me ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republiken e Shqipërise”, i ndryshuar, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit të çregjistrimit për personat fizikë dhe për subjektet e tjera, në rastet kur ligji nuk parashikon procedura likuidimi në lidhje me to. Tashmë, çregjistrimi për personat fizikë bëhet pas 30 ditësh, nga data e aplikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Gjithashtu, me ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit Nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republiken e Shqipërise”, i ndryshuar, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit të çregjistrimit për personat juridikë, degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta dhe për subjektet e tjera, për të cilat ligji parashikon procedura likuidimi. Tashmë, në rast të ndjekjes së procedurës së likuidimit, çregjistrimi bëhet brenda 90 ditëve, nga 120 ditë që ishte më parë.
Vlen për t’u theksuar se, procesi i çregjistrimit të subjekteve është një proces ku janë të përfshirë disa institucione dhe nuk trajtohet ekskluzivisht nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Megjithatë, nga ana e Qendrës Kombëtare e Biznesit respektohen dhe do të respektohen gjithmonë me rigorozitetin më të madh të gjitha afatet ligjore të parashikuara për çregjistimin e subjekteve, me qëllim mospengimin e biznesit dhe moskrijimin e barrierave administrative të panevojshme e të dëmshme, thanë burimet zyrare të QKB.
Bazuar në nenin 48, të i Ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, çregjistrimi i subjekteve bëhet: a) në mënyrë vullnetare nga subjekti; b) në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë; c) sipas parashikimit të ligjeve të posaçme.
Në rastin e çregjistrimit vullnetar, neni 49, i Ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, parashikon se, “Për personat fizikë dhe për subjektet e tjera, në rastet kur ligji nuk parashikon procedura likuidimi në lidhje me to, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim. Çregjistrimi në mënyrë vullnetare për personat juridikë, degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta dhe për subjektet e tjera, për të cilat ligji parashikon procedura likuidimi, kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim dhe depozitimit të akteve përkatëse, që vërtetojnë kryerjen dhe mbylljen e procedurave të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi. Çregjistrimi nuk kryhet, nëse aktet e ndërmjetme të procesit të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi, nuk janë njoftuar dhe depozituar pranë regjistrit tregtar. Këto akte depozitohen në formën e kërkuar nga ky ligj dhe/ose nga dispozita të tjera ligjore në fuqi”.
Në përputhje me nenin 45 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, subjektet e regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit çregjistrohen, pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore të papaguara dhe pasi të kenë paraqitur pranë Administratës Tatimore pasqyrat financiare dhe deklaratat tatimore për veprimtarinë ekonomike të kryer nga data e mbylljes së periudhës së fundit tatimore dhe gjatë procedurës së likuidimit.
QKB njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit ose për kërkesën për çregjistrim të personit fizik, apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit. Organi tatimor kompetent, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së pasqyrave financiare, është i detyruar të verifikojë situatën tatimore të subjekteve dhe, kur është e nevojshme, të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, sipas një analize risku.
Qendra Kombëtare e Biznesit ose Gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se, brenda afatit 30-ditor, Administrata Tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin. Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga Administrata Tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe, në rastin e personit juridik, faktin se ai nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e likuidimit.
Nëse pas 30 ditëve nga data e dorëzimit të pasqyrave financiare të mbylljes, organi tatimor kompetent nuk ka paraqitur ndonjë kundërshtim me shkrim apo kundërshtimi nuk përmban shumën e detyrimeve tatimore, të gjobave dhe interesave të papaguar, Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit.
Pasi tatimpaguesi ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes dhe ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore, gjobat dhe interesat e papaguar, organi tatimor kompetent detyrohet të tërheqë menjëherë kundërshtimin për çregjistrim dhe Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e tatimpaguesit.
Nëse pavarësisht shlyerjes, organi tatimor kompetent nuk ka tërhequr kundërshtimin, atëherë subjekti mund t’i paraqesë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dokumentin që vërteton shlyerjen e shumës totale të detyrimeve tatimore, të gjobave dhe interesave të përcaktuar në kundërshtimin për çregjistrim. Në këtë rast, Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit dhe njofton organin tatimor kompetent.
Megjithatë, çregjistrimi tatimor nuk eliminon detyrimet ekzistuese tatimore dhe nuk parandalon Administratën Tatimore të vlerësojë ose të mbledhë detyrimet tatimore.

Bizneset, probleme me çregjistrimin

Bizneset janë ankuar vazhdimisht se po hasin vështirësi në çregjistrimin e bizneseve.
“Ka shumë raste kur subjekti nuk ka detyrime në tatime apo institucione të tjera dhe përsëri statusi i mbetet aktiv, pasi komunikimi mes QKB dhe institucione të tjera është inekzistent”, thotë një kontabilist që mban bilancin e disa firmave.
Ai thotë se në rastet kur biznesi aplikon për mbyllje dhe nuk bën deklaratat me zero për formualarët e gjeneruar nga sistemi për periudhën pas aplikimit për mbyllje gjenerohen gjoba 10 mijë lekë për çdo formular. Megjithëse, sipas ligjit të procedurave duhet të fshihen gjobat për mosdeklarim pas aplikimit për mbyllje, kontabilisti thotë se gjobat jo vetëm nuk pastrohen, por shtohen.
QKB, në bazë të ligjit, ka sqaruar se detyrohet të refuzojë kërkesat për çregjistrim, pasi bizneset duhet që më parë të kenë shlyer të gjitha detyrimet tatimore.