Skandal/Rroshi u dënua në Itali për përdhunim në grup

Kryeministri Edi Rama, Kryetari bashkise se Durresit, Vangjush Dako dhe Kryetari bashkise se Kavajes, Elvis Roshi, gjate ceremonise se mberritjes se makinerive dhe tubave te pare ne Shqiperi, te projektit te gazsjellesit TAP, prane Spitalles ne Durres./r/n/r/nAlbanian Prime Minister Edi Rama, Mayor of Durres Vangjush Dako and Mayor of Kavaja, Elvis Roshi, delivers a speech during the ceremony of arrival of first pipes of Trans-Adriatic Pipeline in Spitalle, near Durres, Albania, 18 April 2016. Trans-Adriatic Pipeline, TAP project, will cross Albanian territory before running undersea to Italy.

Në nëntor të vitit 1992 dënohet në Itali për përdhunim. Ky detaj i kishte shpëtuar të gjitha publikimeve të deritanishme mediatike të dosjes së zezë të Elvis, Ervin Rroshit. Çështja është edhe më e rëndë nëse i referohemi dokumenteve të drejtësisë italiane.
Ai ka përdhunuar në grup dhe dosja e thotë qartë ka përdhunuar në bashkëpunim dhe ka bashkëpunuar në përdhunim. Një histori e pistë, e ndyrë, e denjë për pjesën më perverse të botës së krimit, të cilën Rroshi thotë se e ka nisur që në hapat e para të rinisë së tij.
Sapo lirohet nga burgu vijon aktivitetin e tij të trafikut të drogës në Zvicër. Dënohet me burgim 4 vjet për periudhën nga viti 1993-1997. Ky dënim nuk është përfshirë fare në formularin e dekriminalizimit po ashtu sikurse edhe dënimi në Itali për përdhunimin në grup. Të dyja këto përbëjnë një kundravajtje penale sipas ligjit të dekriminalizimit.
Pas këtyre dy dënimeve të rënda për përdhunim dhe trafik droge vjen një tjetër periudhë e errët e Elvis Rroshit në Gjermani. Ai thotë në formularin e dekriminalizimit se mban mend që është arrestuar, hetuar dhe dënuar, por nuk mban arsyen se përse është penalizuar dhe as kohën që ka qëndruar pas hekurave. Nëse llogarisim këtë kohë të qëndrimit jashtë Shqipërisë si emigrant të Rroshit rezulton sipas këtyre dënimeve se ai më shumë ka qëndruar pas hekurave se jashtë tyre. Dhe kohën që ka qëndruar jashtë e ka përdorur për aktivitete kriminale për të cilat më pas është arrestuar dhe dënuar.
Edhe në rastin e dënimit për përdhunim Rroshi u shpreh se atij prapë nuk i kujtohej. E thënë ndryshe ka përdhunuar pa e pasur mendjen, ndonëse gjykata italiane thotë krejt të kundërtën.
Pas një aktiviteti të tillë kriminal në përdhunime, trafik droge dhe prostitucion, Rama e zgjodhi Rroshin si qytetarin e parë të Kavajës. Një histori fyese për një qytet, por më tepër se kaq ishte shenja e qartë e inkriminimit të pushtetit në majën e tij. Të gjitha vendimet ishin personale të Ramës. Rezistencës, kundërshtisë dhe reagimit të hapur të partnerëve të Shqipërisë në prag të zgjedhjeve lokale për të mos kandiduar këta elementë të inkriminuar, Rama iu përgjigj me arrogancën e një kryemafiozi. Ai nuk i pyeti dhe i vendosi sepse vetëm ata mund të blinin votat me paratë e pista të krimit të organizuar. Askush tjetër si ata nuk mund të ushtronte terror ndaj zgjedhësve, askush tjetër si ata nuk mund të ndryshonte dhe përdhoste listat e zgjedhësve.
Rama mundi që të fitojë me elementë të tillë të inkriminuar, por kjo fitore i ka ngecur në fyt. Ai nuk mund t’i gëzohet më kësaj fitoreje sot. Përkundrazi, tani do të duhet të paguajë deri më një koston e inkriminimit të tij me Rroshët, Bushët dhe Bardhët.

Kryefundërrina dhe përdhunuesi

Rroshi nuk do të ishte kryetar bashkie, nëse kryetar i PS nuk do të ishte Rama. Rroshi do të ishte thjesht dhe vetëm një emër në qytetin e Kavajës, i cili do të merrej me punët e tij të pista. Do të vazhdonte të pastronte paratë e drogës dhe prostitucionit me pronat që i kanë lulëzuar gjatë viteve të fundit, duke nisur nga hoteli në qendër të Kavajës dhe shumë prona të tjera në zonat turistike, një pjesë të të cilave i ka përvetësuar gjatë viteve të fundit në detyrën si kryebashkiak dhe për këtë Prokuroria duhet të bëjë një tjetër hetim ndaj tij.
Rroshi do të ishte askushi sikur Rama të mos ishte kreu i qeverisë që shpërfilli zërin e Shteteve të Bashkuara për të mos kandiduar njerëz të tillë me dosje. Dje Shqipëria njohu se për të parën herë në historinë e saj ka pasur edhe një kryebashkiak të dënuar si përdhunues, por shqiptarët duhet të dinë prej kohësh se e keqja më e madhe është kryefundërrina në krye të qeverisë, i cili i ka përzgjedhur elementë të tillë duke e shndërruar pushtetin në një moçal për pastrimin e të cilit nevojitet një reagim i fortë mbarëpopullor.
E keqja nuk është ai përdhunuesi i Kavajës që drejtoi bashkinë në këto katër vite, por kryefundërrina që i gjeneron në majat e pushtetit të tillë qelbësira. Formula e dikurshme që të gjithë qelbësirat të bashkohen për të rrëzuar Berishën, tani po kthehet në invers. Të gjithë qelbësirat e përzgjedhur nga Rama po e rrëzojnë atë nga pushteti duke i ikur një nga një nga presioni i opozitës me forcën e ligjit. Largimi i djeshëm i një përdhunuesi është një fitore e lëvizjes politike të PD dhe Bashës me përpjekjen dhe funksionimin e ligjit të dekriminalizimit, por ky nuk është fundi që e bën opozitën të vetëkënaqet, por fillimi i një lufte akoma më të fortë për të larguar kryefundërrinën.

Paloka: Tronditëse dosja e përdhunimit

Edhe më tronditëse bëhet e vërteta rreth të shkuarës kriminale të Rroshit të Ramës, modelit të Edi Ramës për bashkitë.
Dëshmia e penalitetit që është publikuar sot (dje), e ardhur nga Ministria e Drejtësisë italiane, thotë se Elvis Rroshi është dënuar për “violenza karnale”, që do të thotë është dënuar për përdhunim.
Pra, Rroshi që e fsheh dhe shefi i rilindjes që i del në mbrojtje, mbulojnë një krim të tmerrshëm të kryer nga i zgjedhuri i Ramës.
Dhe Edi Rama e njeh italishten. E megjithëse e di, që ka vënë pos të tjerash edhe një përdhunues si kryetar Bashkie në Kavajë, u kërkon sot socialistëve të dalin në një demonstratë në qytet për ta mbrojtur atë.
Rama u thotë socialistëve të dalin të mbrojnë përdhunuesin.
Demonstratën do ta udhëheqë Gentjan Daja, i dënuar për trafik droge, ushtar i Rroshit, të cilin Rama e ka caktuar në krye të PS-së së Kavajës.
I poshtëroi, duke ua vënë Rroshin kryetar bashkie, i poshtëroi, duke u vënë kryetar partie të dënuarin për drogë, po i poshtëron edhe më shumë sot, duke i kërkuar të mblidhen në shesh në mbrojtje të përdhunuesit.
Ky është Edi Rama. Ky është modeli i tij. Këto janë standardet e tij.

Rroshi falsifikoi çertifikatën e penalitetit të autoriteteve gjermane

Dorëheqja e Elvis Rroshit nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kavajës vjen disa ditë pasi ai publikoi një çertifikatë penaliteti, të gjeneruar nga Zyra Federale e Drejtësisë gjermane. Por dëshmia e penalitetit të Elvis Rroshit ka disa pika të paqarta që vënë në dyshim autenticitetin e saj. 1) Në formularin e dekriminalizimit, Rroshi pranoi se ndryshimi i emrit nga Ervin në Elvis u bë me vendim gjykate në nëntor të 2002. Rroshi thotë se doli para gjykatës në Mynih, para vitit 2002, pra para se të ndryshonte emrin, nga Ervin në Elvis. Rrjedhimisht çertifikata e penalitetit duhej të ishte kërkuar me emrin Ervin Rroshi. Por Rroshi në dokument, për herë të parë e identifikon veten me dy emra njëkohësisht: “Elvis Ervin Rroshi”. Me këtë emër të dyfishtë, kryetari i Bashkisë së Kavajës pretendon se është i pastër për të dy emrat. Por emërtimi i dyfishtë që i ka vënë vetes “Ervin Elvis Rroshi” lë hapësirë për dyshime, pasi para vitit 2002 ai mbante vetëm një emër, Ervin Rroshi. 2) Një pikë tjetër e dyshimtë në kartelën e penalitetit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës është firma dhe vula në fund të dokumentit. Nëse vihet re me kujdes, në fund të fletës janë të shkruara disa rreshta me germa të vogla, që zbulojnë handikapin e dëshmisë penale të Elvis Rroshit. “Dieses Führungszeugnis wurde mit Hilfe automatischer Einrichtungen erteilt und nicht unterschrieben” që përkthehet: “Kjo çertifikatë u prodhua automatikisht nga një pajisje dhe nuk përmban asnjë firmë”. Ky shënim në fund të çertifikatës ngre dyshime për firmën dhe vulën që ekziston në dokument. Ajo nuk mund të jetë nënshkruar apo vulosur në asnjë mënyrë nga një zyrtar gjerman, pasi legjislacioni i këtij vendi e saktëson qartë se kjo tip çertifikate nuk përmban firmë apo vulë. Atëherë përse është firmosur dhe vulosur çertifikata e penalitetit e kryetarit të Bashkisë së Kavajës dhe nëse këto e bëjnë të pavlefshëm dokumentin? 3) Pavarësisht të gjitha dyshimeve për vërtetësinë e tij, kjo tip çertifikate ka një limit kohor për rekordet kriminale që ka kryer personi. Sipas të dhënave, çertifikata gjeneron krimet e bëra deri në 10 vjet më parë, (përveç krimeve seksuale, që kanë një limit kohor më të gjatë). Vepra kriminale, për të cilën Elvis Rroshi thotë se nuk e mban mend, është kryer para vitit 2002, pra më shumë se 14 vjet e 5 muaj më parë, para më shumë se 10 vitesh, rrjedhimisht rekordi i tij kriminal nuk llogaritet nga shteti gjerman në këtë çertifikatë.  4) Një dëshmi e tillë penaliteti mund të kërkohet edhe online, nga vetë personi i interesuar. Në të shënohet adresa ku është dërguar dëshmia e penalitetit. Lart majtas fletës së dokumentit, në krah të Elvis Rroshit është një adresë në Hanover, ku rezulton se kjo çertifikatë është dërguar me postë nga Zyra Federale gjermane. Por pavarësisht se është postuar në Hanover, siç duket në këtë pjesë të fletës është edhe adresa ekzakte e Elvis Rroshit në Kavajë, rruga “S.Guraj”, Nr. 6519 dhe kodi postar i Kavajës, nr. 2500. Ekzistenca e dy adresave në dokumentin më lart ngre dyshime të forta për mënyrën si është marrë ky dokument ose në rastin më të mirë i bën të paqarta të dhënat e tij.

Arben SHAHINI