Rrugët përgjaken përditë, qeveria dhe ministrat heshtin

Mimoza Hajdarmataj

U bë kaq kohë që ditët nisin dhe mbyllen me trishtim e dhimbje për shqiptarët. Shteti inekzistent, braktisja dhe korrupsioni në sektorin strategjik të transportit, po merr frikshëm jetë, çdo ditë, në çdo aks! Kush përgjigjet për këto tragjedi njerëzore. Pse hesht Ministria, Drejtoria e Rrugëve, Policia? Ndërsa mazhoranca është në serialin e publikimit të kriminalizimit, aksidentet e përditshme po rrëmbejnë frikshëm jetë të rinjsh, të fëmijëve, të vajzave, të nënave dhe qytetarë të çdo moshe.
Aksidentet e përditshme po përgjakin rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë! Pak orë më parë, në periferinë e Tiranës, një automjet goditi për vdekje një të mitur dhe thuhet se ka plagosur edhe gjyshen e saj. Dramatike, vuajtja për humbjen e një fëmije. Qeveria dhe ministrat heshtin dhe injorojnë këtë bilanc të dhimbshëm të humbjes së jetëve të shqiptarëve, në mënyrën më absurde.
Policia pa asnjë plan dhe pa asnjë strategji përballë këtij fenomeni në rritje, ndërkohë që Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Transportit dalin me justifikime të rëndomta dhe aprofesionale, për të mos marrë përgjegjësi për gjendjen e rrugëve dhe sidomos të sinjalistikës rrugore në to, ndërkohë që nuk ngurojnë të paraqesin shifra marramendëse të planifikuara për “përmirësimet infrastrukturore”, të cilat nuk dihen se ku përfundojnë, përveçse në rrugë jo.
Deri kur do të vazhdojë kjo rrokadë e papërgjegjshmërisë së shtetit, drejtuesve fajtorë të automjeteve dhe policisë, e cila vetëm gjobit dhe vendos bllokuesat e verdhë, që të shtojë të ardhurat e bashkisë zhvatëse dhe propogandistike?