Rama fsheh burgun e Roshit për trafik droge në 1993-1997

Dikur ata shisnin drogë, Rama i bëri qytetarë të parë. Të dhënat e mbledhura në Itali dhe Zvicër nga gazetarët e “Birn”, sjellin informacione të frikshme për njerëzit që kërkojnë votën e shqiptarëve nga podiumi i fushatës elektorale në zgjedhjet e vitit 2015 . Elvis Rroshi, i njohur gjithashtu si Ervin Rroshi, shkruan BIRN, u dënua në Zvicër për shpërndarje droge nga viti 1993 deri në vitin 1997. Rroshi, i cili u zgjodh më 2011 si kryebashkiak, po kërkon aktualisht një mandat të dytë në këtë bashki. Para se të bëhej kryebashkiak, Rroshi qe dënuar në Zvicër për shpërndarje droge.
“Një zyrtar i Zvicrës, i cili foli në kushtin e anonimatit, i tha “BIRN” se, të dhënat policore të Zvicrës tregojnë se Rroshi qe subjekt procedimi penal nga viti 1993 deri më 1997.
“Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël”, tha zyrtari i policisë për BIRN.
“Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit”, shtoi ai.
I njëjti burim tha se, autoritetet e Shqipërisë patën kërkuar informacion në vitin 2011 nga homologët e tyre zviceranë, nëse Rroshi qe dënuar për trafik droge dhe pastrim parash dhe se ata e patën marrë përgjigjen.
“Interpol Tirana mori të njëjtin informacion”, specifikoi zyrtari zviceran.
Kandidati tjeter socialist, në Bashkinë e Krujës, Artur Bushi u arrestua nga policia italiane në 11 qershor 2010 në qytezën e Gallaratës, shkruan “Birn”.
Ironikisht, Artur Bushi në kohën kur ishte deputet, në janar të këtij viti mbështeti një rezolutë të parlamentit, ku bëhej thirrje ndaj partive politike që të pastronin radhët nga njerëzit me të shkuar kriminale. Artur Bushi u mbajt nga policia deri më 24 korrik atë vit, i dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e Morriggia-s.
Franco Novati, një ish-komandant policie në Gallarate, i cili drejtoi hetimin, i tha BIRN se kjo bandë importonte kokainë nga Holanda në Itali.
“Kur ne i vumë nëntë prej tyre nën përgjim, ata folën për “pjesë këmbimi”, por ne e dinim se kjo qe fjala në kod për kokainën”, rikujtoi ai.
Novati tha se kokaina vinte nga Amsterdami përmes korrierëve dhe shitej me shumicë te bosët vendorë në Breshia, Modena, Luka dhe Piaçenza.
“Ne ndërhymë në transportin e fundit të 10 apo 11 kileve të kokainës nga Holanda dhe arrestuam bandën”, shtoi ai.
Gjithsesi, megjithëse Bushi u arrestua, ai nuk u dënua, tha për BIRN zyra e Prokurorisë së Busto Arsizio.
“Çështja e Bushit u nda mënjanë nga çështja nr. 1986/2010RGNR mbi bandën Moriggia. Numri i çështjes së re qe 7257/2010”, shpjegoi një zëdhënës.
“Më 20 mars 2011, çështja e Bushit u arkivua dhe u mbyll pa dënim kundër tij”, shtoi zëdhënësi.
Novati tha se, Bushi pretendoi në gjykatë se ai po shkonte në Holandë bashkë me të tjerët, thjesht për të blerë makina dhe për t’i shitur në Itali dhe se nuk kishte dijeni për atë se çfarë bënin të tjerët në Holandë.
“Policia qe e sigurt, që ai qe i përfshirë, por provat nuk qenë të mjaftueshme në gjykatë”, tha Novati.
“Ai qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension.
Gentian Mehmeti, kandidat për Këlcyrën, i cili më pas u tërhoq nga Partia Demokratike, qe arrestuar gjithashtu në Itali më 1997, për trafik droge.
Eliana Martella, zëdhënëse e policisë për qytetin e Leçes në Italinë e Jugut i tha BIRN se, Muhameti qe arrestuar më 20 janar 1997 në Melendugno, provinca e Leçes, me 30 kilogramë marijuanë.
“Ai u dënua me dy vjet burg dhe me 15 milionë lireta [gjobë] (në atë kohë rreth 7,500 euro]”, shtoi Martella.
“Ai e pranoi fajin dhe përfitoi një dënim [të reduktuar] prej një viti e gjashtë muajsh burg dhe 10 milionë lireta [gjobë] më 15 mars 1997”, shtoi ajo.
Më 9 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të hequr Mehmetin nga lista e kandidatëve për Partinë Demokratike. Kolegji Zgjedhor, një gjykatë e specializuar për mosmarrëveshjet zgjedhore, e la në fuqi këtë vendim.
KQZ, njësoj si partitë politike, ka qenë nën presion nga SHBA dhe BE për të ndaluar kandidatët me të shkuar kriminale në zgjedhje.
“Birn” raporton edhe një deklaratë të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.
“Nëse do të zgjidhen, ata do pretendojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar mercedezët e zinj luksozë, vilat anës detit apo rezidencat e tyre skandaloze. Shqipëria meriton më shumë. Tashmë i takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë”.

BIRN