“New York Times”: Rroshi, “viktima” e parë e dekriminalizimit në Shqipëri

Jehona e inkriminimit të Ramës në mediat më prestigjioze të botës. “New York Times” ka dhënë dje lajmin e largimit të kryebashkiakut të Kavajës, Rroshi. Lajme të tilla në media kaq prestigjioze bëhen vetëm në vendet ku krimi i organizuar është pjesë e kontrollit të pushtetit.
“Një kryebashkiak shqiptar ka dhënë dorëheqjen për shkak të dënimit të tij për një sherr në fillim të viteve 1990”. Edhe prestigjiozja “New York Times” i ka kushtuar pak rreshta kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. “Besohet të jetë viktima e parë e një ligji të miratuar 5 muaj më parë për bllokimin e personave me precedentë penalë në poste publike. Elvis Rroshi, kryebashkiak i Kavajës, tha këtë të martë se jepte dorëheqjen pasi kishte zbuluar se ishte dënuar pas një sherri në një kamp refugjatësh në Itali në moshën 16-vjeçare. Ai tha se nuk ishte dërguar në gjykatë në atë kohë dhe se nuk kishte vuajtuar asnjë dënim”, shkruan “NYT”. Gazeta amerikane citon edhe vendimin e KQZ-së që po këtë ditë u ndërpreu mandatin e 18 anëtarëve të këshillave bashkiakë. “Ligji që u miratua në mes të dhjetorit u konsiderua kyç në luftën kundër korrupsionit që është bërë pengesë në rrugën e integrimit”, e mbyll “NYT”.