Mundësi për të kaluar grupin

Që kjo është vera më e bukur në historinë e futbollit shqiptar kjo nuk diskutohet, por kuqezinjtë tanë premtojnë ta bëjnë të paharrueshme. Në çdo konferencë për shtyp dëgjohet fjalia, se kjo skuadër mund të kalojë fazën e grupit, pavarësisht se përballë janë skuadra si Franca vendi organizator apo Zvicra dhe Rumania. Burimin se nga vjen ky besim i madh për një kualifikim të mëtejshëm e sjell nga Austria në konferecnën për shtyp, Ansi Agolli. “Nëse bëjmë të njëjtën lojë si në eluminatoret e europianit, atëherë  kemi mundësi të mëdha të kalojmë grupin, sepse skuadrat që kemi përballë nuk kanë ndryshime me ato që kishim në eliminatore”, u shpreh Agolli.
Nuk është vetëm argumenti mbi fortësinë e kundërshtarit që mund të sjellë suksesin e kombëtares shqiptare. Mbi të gjitha, ajo që bie në sy është harmonia e madhë që ekziston në grupin e futbollistëve, çka shihet edhe në faktin që gjithkush ndjen keqardhje për 4 futbollistët që De Biasi do të lërë në shtëpi. “Ekipi ka nevojë për sa më shumë harmoni. Kemi entuziazëm që na ndihmon të jemi pranë njëri-tjetrit. Mendoj se ka larmi moshe dhe karakteresh në skuadër. Mundohesh të përshtatesh në mënyrë që të ecim sa më mirë bashkë dhe ia kemi arritur. Ne jemi një grup prej 30 lojtarësh që kemi afrimitet të madh. Mendoj se të gjithëve na vjen keq për ata që do të largohen dhe do të jetë emocionuese. Të gjithë do të ndjejnë keqardhje”, tha ai.
Ansi Agolli është një nga futbollsitët më të vlerësuar tek skuadra e tij Qarabak, me të cilën fitoi titullin dhe kupën. Në muajin tetor mëngjarashi do të mbushë 34 vjeç, teksa nuk përjashton një rikthim në kampinatin shqiptar, me skuadrën e zemrës Tiranën. Por në fillim duhet të përmbushë misionin me kampionen e Azerbaixhanit.
“Vit i gjatë dhe impenjues me shumë ndeshje, realizuam objektivat. Pas europianit janë eliminatoret e champions, të cilat vlejnë shumë për klubin. Tiranën e mendoj, pasi është skuadër që më ka dhënë shumë. Kam edhe një vit kontratë dhe kemi një objektiv madhor për të hyrë në grupet e champions. E shoh të ardhmen për momentin këtu. Ka mundësi kampionati shqiptar pavarësisht problemeve, prodhon patjetër lojtarë madje do të ketë edhe në të ardhmen. Si çdo shqiptar edhe Agolli ka skuadrën e tij të preferuar në një eveniment të tillë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar. Deri para dy vitesh kam qenë me gjermaninë. Nuk e fsheh që për një lojtar që ka luajtur kaq vite të jetë i lumtur që jam pjesë e këtij grupi”, përfundoi Agolli.
Ndërsa, Shqipëria përgatitet të fluturojë drejt Euro 2016 në Francë, çdo gjë duket të jetë gati për skuadrën kombëtare, përfshirë edhe veshjen e tyre formale me të cilën skuadra do të paraqitet në shfaqet zyrtare. Altin Mici, një nga stilistët më të njohur shqiptarë, i shquar për realizimin e kostumeve të personalizuara “Made to Measure”, ka krijuar një kostum të ri që do të vishet nga skuadra, ndërsa ata përfaqësojnë vendin e tyre në nivelin më të lartë ndonjëherë në futboll. Ndërsa është hera e parë, që Shqipëria merr pjesë në finalet e Kampionatit Europian, skuadra Kombëtare shqiptare do të prezantohet me një veshje të personalizuar krijuar nga artisti Altin Mici, duke i dhënë çdo lojtari ndjenjën e krenarisë, besimit dhe komfortit me një veshje Made in Albania. Në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, që në krye të herës u vendos pa më të voglin dyshim që skuadra Kombëtare shqiptare do të prezantohej me një produkt Made in Albania, ç’ka nxit tek lojtarët ndjenjën e patriotizmit dhe vetëvlerësimit.
Një veshje perfekte me tre pjesë në tonalitete të grisë, krijuar në një kohë rekord prej dy muajsh, pas një pune të detajuar për marrjen e masave të çdo lojtari, duket se i rri perfekt çdonjërit prej tyre, duke vënë edhe më në dukje individualitetin dhe sharmin e gjithësecilit prej tyre. Çdo pjesë përbërëse e veshjes krijuar në formë ekzakte sipas specifikave të çdo lojtari, është realizuar nga stofrat më të mira, duke përfshirë gjithashtu edhe logon zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.