Kosovë, bizneset, kontribuuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit

Me qëllim fuqizimin e partneritetit ndërmjet sektorit privat dhe publik, është mbajtur Forumi Vjetor Publiko-Privat, i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dogana e Kosovës. Forumi u ofroi mundësinë bizneseve që përfaqësojnë tatimpaguesit më të mëdhenj të detyrimeve doganore, që të ngrenë shqetësimet e tyre për çështjet me të cilat përballet në raport me zyrtarët doganorë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se praktikat e dialogut dhe partneritetit publiko-privat janë shumë të nevojshme për adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve të cilat pengojnë punën e bizneseve, e të cilat meritojnë vëmendje të veçantë.
Ai tha se reformat fiskale të ndërmarra viteve të fundit, kanë ndihmuar bizneset në lehtësimin dhe përmirësimin e ambientit së të bërit biznes.
Në anën tjetër, Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi gatishmërinë e tij për të vazhduar takimet e drejtpërdrejta me bizneset me qëllim të diskutimit të çështjeve të interesit të përbashkët, duke shtuar se objektivat e institucionit që ai drejton, synohet që të realizohen së bashku me bizneset përmes komunikimit dhe dialogut të përbashkët.
Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, konsideroi vitin 2015 dhe 2016, si vite të dialogut dhe bashkëpunimit të mirëfilltë, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e Ministrisë së Financave dhe Doganës së Kosovës, njëkohësisht edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Odës Amerikane.
Ai gjithashtu tha se bizneset duhet që në vazhdimësi të konsiderohen si kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e vendit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.