Bylykbashi: Rama të presë se nuk ka parë ende asgjë

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi e ka cilësuar si nisjen e dorëheqjeve të të inkriminuarve largimin e Rroshit dje nga posti i kryetarit të Bashkisë Kavajë. Bylykbashi theksoi se radhën e kanë dorëheqje të tjera.
“Ligji i dekriminalizimit funksionon që ç’ke me të! Prova madhore e fitores së kauzës së PD erdhi sot kur Elvis Ervin Rroshi dha dorëheqjen i detyruar nga ligji i dekriminalizimit. Gjykata italiane e ka dënuar me burgim sipas nenit 519 të Kodit Penal për përdhunim. Fshehja e këtij dënimi në formularin e vetëdeklarimit përbën vepër penale më vete sipas nenit 190 të Kodit Penal.
Kush dënohet sot për përdhunim, ndalohet përjetë që të mbajë funksione publike. Kurdo që të jesh dënuar në të shkuarën për përdhunim, ndalohesh përjetë për të mbajtur funksione publike. Përdhunimi në të Drejtën Romake dënohej me vdekje. Për fat jemi në demokraci dhe kjo nuk ndodh më, por përdhunimin dhe përdhunuesin nuk e pranon askush, aq më pak si funksionar publik! Rama të presë se nuk ka parë ende asgjë! Shpejt do të dalë në shesh një dënim në Zvicër për trafik droge. Radhën për dorëheqje e kanë të tjerë. Turp, turp!”.