Anglia grumbullon Rashford

Nuk ka surpriza në listën përfundimtare të 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë, Francën në Euro 2016. Ashtu siç edhe pritej qendërmbrojtësi i Sevillas, Adil Rami, ka marrë vendin e të dëmtuarit Raphael Varane, ndërsa Samuel Umtitti i Lyonit ka zëvendësuar, Jeremy Mathiew që pësoi një lëndim vetëm pak ditë më parë. Emrat e mëdhenj të lënë jashtë nga Deschamps janë padiskutim sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema dhe ai i Nice Hatem. Ben Arfa, diçka që dihej, sepse këta dy lojtarë nuk bënin pjesë as në listën provizore. Franca që është njëkohësisht edhe një prej tre skuadrave kundërshtare të Shqipërisë në grupin A, si dhe një nga ekipet favorite për t’i shkuar deri në fund, Europianit të shtëpisë, në këtë eveniment kaq të rëndësishëm do të përfaqësohet nga këta futbollistë.
3 portierët e përzgjedhur nga trajneri Didier Deschamps janë Lloris, Costil dhe Mandanda. Në mbrojtje spikasin Evra, Koscielny, Mangala e Sagna pa harruar edhe Digne, Jallet, Umtitti e Rami. Janë 6 emrat e përzgjedhur në mesfushë, me Paul Pogba që qëndron mbi të gjithë, ndërsa Cabaye, Kante, Matuidi, Lassana Diarra e Moussa Sissoko, janë ata që kompletojnë repartin e ndërmjetëm. Sulmi i përfaqësueses së gjelave në Euro 2016, ndërkohë do të udhëhiqet nga Griezmann, Giroud e Payet, por një rol të rëndësishëm pritet të luajnë edhe Martial, Gignac e Coman. Franca do ta nisë Europianin me sfidën e 10 qershorit ndaj Rumanisë në “Stade De France” që do të jetë edhe takimi hapës i këtij kompeticioni, ndërsa në 15 qershor në Marseille do të sfidojë Shqipërinë, për të mbyllur fazën e grupeve me ndeshjen ndaj Zvicrës.
Nis të marrë formë Euro 2016. Një pjesë e mirë e kombëtareve që do të bëjnë pjesë në kompeticionin që do të zhvillohet në Francë shpallën listat përfundimtare me 23 futbollistët e grumbulluar, përpara mesditës së kësaj të marte, duke patur parasysh edhe faktin që 31 maji ishte afati i fundit i përcaktuar nga UEFA, për ta bërë diçka të tillë. Duke lënë mënjanë grupin A, në grupin B vëmendja më e madhe ishte te 3 futbollistët që do të linte jashtë nga lista provizore prej 26 emrash trajneri i Anglisë, Roy Hodgson. Dilemat e shuan kur federata angleze e futbollit dorëzoi në UEFA listën përfundimtare. Të sakfrifikuarit e Hodgson janë 3 mesfushorë dhe bëhet fjalë për Drinkëater të Leicester-it, Delph të Manchester City-it dhe Townsend të Newcastle United. Falë paraqitjeve të tija të shkëlqyera me fanellën e Manchester United, por edhe golit pas vetëm 3 minutash ndaj Turqisë, në debutimin me Anglinë fitoi të drejtën për të qenë pjesë e Euro 2016, talenti Marcus Rashford. Përveç tij sulmuesit e tjerë të përzgjedhur nga trajneri i përfaqësueses së Tre Luanëve, janë Rooney, Kane, Vardy e Sturridge, kjo edhe për faktin se mbeti jashtë për arsye dëmtimi Danny Welbeck që futbollist që pëlqehej shumë nga trajneri Hodgson. Në mesfushë nuk mungojnë emra të tillë si Dele Alli, Dier, Wilshire, Sterling e Henderson, ndërsa në mbrojtje spikasin Cahill, Stones, Smalling, Walker, Rose e Clyne.
Uellsi përfaqësuesja tjetër britanike që bën pjesë në grupin B, në debutimin e saj në një kampionat europian do të udhëhiqet padiskutim nga ylli i ekipit Gareth Bale, pa harruar këtu edhe Aaron Ramsey-in, Ben Davies e Joe Allen. Në listën zyrtare të Rusisë janë përfshirë ndërkohë portieri brazilian Guilherme dhe mesfushori me tipare mbrojtëse i lindur në Ukrainë, por i rritur si futbollist në Gjermani, Roman Neustadter. Emrat e tjerë të rëndësishëm janë Akinfeev, dy vëllezërit Berezutski, apo edhe Samedov, Shirokov e Dzyba. Mungesa e madhe e Rusisë do të jetë mesfushori i Cska-së së Moskës Alan Dzagoev, i cili ka pësuar një dëmtim. Emri që spikat më shumë në listën e Sllovakisë, skuadrës së 4-t që bën pjesë në grupin B, është ai i mesfushorit të Napolit, Marek Hamsik, ndërsa trajneri Jan Kozak, ka grumbulluar edhe emra të tillë si Skrtel, Stoch, Duda, Mak, Weiss e Nemec.