Ballina Ekonomi Kredia rënie vjetore me -1.6 %

Kredia rënie vjetore me -1.6 %

Huaja për ekonominë ka ngecur prej shumë muajsh tashmë. Statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se edhe në prill kreditimi për bizneset e individët nuk ka mundur të rikuperohet. Stoku i huasë për ekonominë ishte 547.5 miliardë lekë në prill, pothuajse në të njëjtin nivel me marsin. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti të mëparshëm kreditimi ka rënë me 1.6%. ndërsa në raport me fundin e 2015-s huaja ka shënuar një rritje të papërfillshme.
Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të nxitur kreditimin në ekonomi përmes lehtësimit të politikës monetare dhe thirrjeve të drejtpërdrejta të guvernatorit drejtuar bankave për këtë qëllim duket se nuk janë “dëgjuar” nga bankat. Dy muaj më parë guvernatori I Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, në një takim të posaçëm me drejtues të sistemit bankar u bëri thirrje të rrisin huadhënien për ekonominë. Në prill dhe në maj, institucioni monetar qendror uli dy herë radhazi normën bazë, duke e zbritur në nivele rekord prej 1.25%.
Sërish, ky agresivitet I bankës së Shqipërisë nuk po reflektohet në rritje të huadhënies. Bankat pohojnë se kërkesa nga bizneset është e dobët, ndërsa në kahun tjetër kujdesi është shtuar. Fshirja e kredive të këqija nga bilancet e bankave është një tjetër arsye që ka ndikuar në këtë tendencë.
Bankierët pohojnë ndërkohë se ata janë aktiv në kredidhënie, por po mungojnë huatë e mëdha, ndaj dhe stoku nuk po rritet. Tashmë huadhënia është përqendruar te bizneset e mesme e të vogla.
Të dhënat tregojnë se në 2016-n tkurrjen më të mëdha e shënuan kreditë për korporatat në valutë, që kanë rënë me gati 6% me bazë vjetore. As individët nuk po marrin hua. Për këtë segment, rritja vjetore ishte vetëm 0.5%.
Vetë qeveria e ka pranuar zyrtarisht se kredia kërcënon rimëkëmbjen e ekonomisë. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik vëren se ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion, duke u shndërruar në një kërcënim për perspektivën e ekonomisë.
“Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” thuhet në dokumentin strategjik të miratuar pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave.
Aktiviteti kreditues u duk sikur u gjallërua në gjysmën e pare të vitit 2015, i nxitur edhe nga normat e favorshme të interesit të kredisë në monedhën vendase. Por në gjysmën e dytë të vitit, kreditimi u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme duke hyrë në territor negativ dhe që nga ajo kohë vazhdon të bjerë.

Exit mobile version