Bashkia Kamëz së shpejti nis investimet e reja për 2016

Ndër investimet që pritet të nisin janë riparimi i urës në Fushë-Kërçik dhe ndërtimi i rrugës para shkollës “Vëllazërimi” si dhe ndërtimi i KUN-së në rrugën “Ibrahim Rugova” në Paskuqan 1.

Sikurse ishin planifikuar në buxhetin e këtij viti, me dhjetëra investime për përmirësimin e infrastrukturës në Kamëz, Bashkia ka nisur tashmë prokurimin për ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve të ujërave të zeza. Shumë shpejt pritet të nisin edhe punimet dhe përfundimi i tyre pritet të japë një impakt social për komunitetin e banorëve në Kamëz dhe Paskuqan.
Një investim i prokuruar, i gatshëm që do të fillojë së shpejti të realizohet në Bashkinë Kamëz, është riparimi i urës në Fushë-Kërçik dhe ndërtimi i rrugës para shkollës “Vëllazërimi”. Ndërtimi i rrugës para shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi” është një investim që është parashikuar në buxhetin e Bashkisë Kamëz për vitin 2016. Një tjetër investim është edhe sistemimi dhe rrethimi i varrezave publike në Babrru-Kodër. Investimi do të krijojë një infrastrukturë të mirërregulluar të këtyre varrezave, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin dhe vendosjen e instrumenteve urbane për të shmangur çdo iniciativë që lë në vështirësi gjendjen e tyre. Mes investimeve të tjera është edhe projekti për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugën “Ibrahim Rugova” në lagjen Paskuqan 1. Me përfundimin e procedurës së prokurimit, janë disa investime që Bashkia Kamëz do të ndërmarrë për përmirësimin e infrastrukturës në Kamëz dhe Paskuqan. Veçanërisht në zonën e Paskuqanit, ku nevoja është më e madhe për ndërhyrje të menjëhershme në infrastrukturën urbane dhe ku është përqendruar pjesa më e madhe e buxhetit e parashikuar për investime. Mbi 55% të vlerës së buxhetit është parashikuar për investime publike, pjesa më e madhe e të cilave do ta realizohet në njësinë administrative të Paskuqanit. Mes projekteve të prokuruara në buxhetin e këtij viti është ai për ndërtimin e segmentit të dytë të rrugës “OSBE”. Segmenti i dytë i kësaj rruge shtrihet në lagjen nr. 4 Kamëz. Projekti për këtë segment, i cili bën pjesë në strategjinë e zhvillimeve infrastrukturore në Bashkinë Kamëz, është i përfshirë në planin e përgjithshëm vendor të qytetit. Rruga “OSBE” (segmenti i dytë), me gjatësi rreth 1 km, është pjesë e unazës së brendshme të qytetit, që është një tjetër projekt ambicioz i Bashkisë Kamëz.
Mes projekteve të gatshme për zbatim është ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në rrugën “Kosova” në lagjen nr. 4 Kamëz. Ky investim do të shërbejë për mijëra banorë të zonës, duke bërë të mundur shkarkimin e ujërave të ndotura. Edhe ky projekt, si të tjerët më sipër, do të realizohet me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2016 Bashkia Kamëz.