Sadriu shkel fëmijën dhe nuk ndalohet nga policia

Deputeti i PS, Sadri Abazi aksidentoi dje një fëmijë me automjetin e tij dhe tentoi ta fshehë ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së djeshme në zonën e plazhit, në një rrugë dytësore, teksa Abazi duke udhëtuar me automjetin e tij, tip “Range Rover” me targa AA 907 MB dhe ka goditur një fëmijë të moshës 7 vjeç me inicialet, J.S. Fëmija i plagosur ka përfunduar në spital ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se fëmija në momentin e aksidentit shoqërohej nga i ati.
Deputeti socialist pas ngjarjes së ndodhur ka pritur forcat e policisë në vendngjarje, por sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ai ka refuzuar të dorëzojë tek forcat policore dokumentat e automjetit, dhe ka marrë në telefon Saimir Tahirin.
Poshtërsia e Abazit shkon edhe më tej, kur ai bashkë me policët tentojnë ta paraqesin aksidentin sikur fëmija ka përplasur makinën e Sadriut. Sadriu ka arritur të detyrojë të atin e fëmijës që të dalë e të thotë publikisht se ishte faji i fëmijës dhe jo i deputetit që shkaktoi aksidentin.
Bëhet e ditur se babai i fëmijës së aksidentuar nga Abazi është “këshilluar” nga Sadriu që të deklarojë së ka qenë faji i fëmijës për aksidentin e shkaktuar nga deputeti i PS. Pas bisedës me Abazin, i ati i 7-vjeçarit, i cili u aksidentua në Shkozet nga deputeti socialist, tha për mediat se i biri iu shkëput nga dora, duke i dalë përpara makinës së deputetit. “Aksidenti ndodhi teksa djali ishte duke ecur me mua, m’u shkëput nga dora, u fut në rrugë. Ishte pakujdesi e imja që djali doli në rrugë. Shoferi uli menjëherë shpejtësinë. Djali mori dëmtime të lehta”, deklaroi Besim Sula.
Pas aksidentit, Abazi është lënë i lirë nga policia, ndonëse aksidenti ka qenë mjaft i rëndë. Policia la të lirë deputetin e Ramës, ndërsa ka vënë në pranga dhjetëra drejtues mjetesh pse nuk venë rripin e sigurimit gjatë drejtimit të mjetit apo për incidente fare të vogla.
Policia doli me një deklaratë, ku nuk i përmend deputetit socialist as emrin, por vetëm inicialet S.A. “Më datë 27.05.2016, në lagjen Nr. 13 Durrës, në rrugën “Bajram Curri”, mjeti tip “Land Rover” me targa AA 907 MB me drejtues shtetasin S.A., ka aksidentuar fëmijën J.S., 7 vjeç, banues në lagjen Nr. 13, Durrës. Fëmija pas një kontrolli në Spitalin Rajonal Durrës, u largua për në banesë. Drejtuesi i mjetit ndodhet në vendngjarje së bashku me efektivat e Policisë. Grupi hetimor vijon hetimet për zbulimin e shkaqeve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.
Policia mban të fshehtë emrin e deputetit të PS, në një kohë që e njëjta polici, ndalon, gjobit, dhe arreston drejtues mjetesh për shkelje shumë të vogla se një aksident, madje mezi pret të publikojë emrat e qytetarëve që i kap në kundravajtje.
Ndërsa Sadriu dhe efektivët e policisë u munduan ta fshehin aksidentin, ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik, sidomos tek qytetarët e Durrësit. Banorët kërkojnë vënien para drejtësisë deputetin që aksidentoi me makinën e tij një fëmijë të mitur.

Reagim i PD: “Abazi tentoi të fshehë aksidentin e fëmijës. Nuk donte të jepte dokumentat”

Partia Demokratike ka reaguar për aksidentin e deputetit të PS, Sadri Abazi, i cili shtypi një fëmijë me makinën e tij. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PD shprehet se deputeti socialist Sadri Abazi tentoi të fshehë aksidentin e ndodhur në Durrës.
“Sadri Abazi, një prej oligarkëve të preferuar të Edi Ramës, që merr çdo tender pa garë, që ka kapur dhe zyrën e prokurimeve, ka përplasur sot një fëmijë me makinë dhe ka tentuar ta fshehë aksidentin. Dëshmitarë të ngjarjes bëjnë me dije se, pasi ka mbërritur policia, ai ka refuzuar të dorëzojë tek uniformat blu dokumentat e automjetit, dhe ka marrë në telefon Saimir Tahirin. Kjo është sjellja tipike e një horri, e një halabaku deputet, që Edi Rama i ka dhënë tendera, miliarda lekë, leje ndërtimi, e leje për të ndërtuar pa leje, i cili ndihet aq i pushtetshëm sa të fshehë dhe aksidentet që bën në rrugë”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD.
PD deklaron më tej se, poshtërsia shkon edhe më larg, kur tentojnë ta paraqesin sikur fëmija ka përplasur makinën e Sadriut dhe madje i ka shkaktuar atij dëme.
“Policia nga ana tjetër nxjerr një deklaratë, ku nuk i përmend deputetit as emrin, por inicialet S.A, ndërkohë që e njëjta polici, ndalon, gjobit, dhe arreston drejtues mjetesh për shkelje shumë të vogla se një aksident, madje mezi pret të publikojë emrat e qytetarëve që i kap në kundravajtje. Sadriu ia del të detyrojë edhe të atin e fëmijës, të dalë e të thotë publikisht se ishte faji i tij, jo i oligarkut.
Me këtë soj e ndan dhe e ushtron Edi Rama pushtetin, që krekoset pastaj dhe në Parlament dhe kërcënon deputetët e opozitës me fjalë banale e neveritëse. Të tjerët pastaj që përplas në rrugë me makinë, nuk i llogaritet fare. Koha e maskarenjve është drejt fundit. Koha e oligarkëve po mbaron. Qytetarët shumë shpejt do të rikthejnë ligjin dhe drejtësinë në vend”, përfundon deklarata e PD.

R.POLISI