Makina e numërimit të parave në zyrën e Gysit në Kryeministri

Ish-kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, sponsori i ditëlindjes së djalit të Endri Fugës me 470 të ftuar është vetë Edi Rama. Berisha shkruan se, makina e numërimit të parave në Kryeministri ndodhet në zyrën e Gysit, i cili tepricat i le për Endri Fugën.
“Të dashur miq, prej pothuaj 2 vitesh, në Kryeministri dhe konkretisht në zyrën e famozit Gys, funksionon njëlloj si në banka makina e numërimit të kartmonedhave, të cilat vijnë me çanta, por ndodh dhe me valixhe në zyrën e Ramës! Ky i fundit, manjak pas saktësisë së shumave që i dhurojnë, i kalon donacionet e bujarëve tek zyra e Gysit për numërim. Pasi numërohen ato sërish kthehen në zyrën e Ramës, por duhet të themi të vërtetën se Rama nuk pranon t’i marrë të gjitha vetë. Ai bujarisht shpërblen mirë edhe Fugën dhe më pak Gysin dhe Agaçin, pasi Rama e di se ata në gjoba nuk të falin. Përsëri edhe për këta, në mos rrjedhtë pikon. Kurse për manarin, pra sugar Fugën, që ka pasion të veçantë paruket, jo të burrave, por të zonjave, dobësia është e madhe!”, shkruan Berisha në Facebook.
Më tej Berisha shkruan se ka qenë vetë Rama që i ka sponsorizuar Fugës festën e ditëlindjes së djalit njëvjeçar. “Kështu, burime pranë makinës së numërimit të parave, është vetë Rama direkt që i sponsorizoi Fugës festën e ditëlindjes së djalit njëvjeçar (të cilit i uroj jetë të gjatë) në Kotor me 470 të ftuar në njërin nga hotelet më luksoze të Kotorit, shoqëruar me një tur Kotor-Dubrovnik me një mega jaht sheikësh. Në një kohë që i ati i djalit vetëm tre vjet më parë ka firmosur për herë të parë në bordero. Natyrisht kjo festë nuk u sponsorizua me paratë e buxhetit, si dasma me dy raunde e “zogut” të Ramës, Veliaj, por hajt të themi me tepricat e makinës së Gysit. Sugari është dobësia e Ramës! Sb”, shkruan Berisha.