Iordanescu: Shqipëria është një skuadër e fortë

Trajneri i Rumanisë, Anghel Iordanescu ka vlerësime maksimale për Shqipërinë, me dy skuadrat që do të ndeshen në sfidën e fundit të Grupit A në finalet e Euro 2016. Në një intervistë për faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit të dedikuar për Kampionatin Europian, tekniku rumun foli për rivalët e grupit, mes të cilëve janë edhe Franca e Zvicra dhe evidentoi disa prej aspekteve që sipas tij shërbejnë si pikat e forta të kuqezinjve.
“Sigurisht, që Franca do të jetë kundërshtari më i fortë. Edhe Shqipëria është një ekip i fortë, shumë i përkushtuar dhe i mirë-organizuar”, ishin fjalët e Iordanescu-t.
Trajneri i Rumanisë tha se i njeh të gjithë lojtarët e Kombëtares shqiptare, si pjesë e punës së tij dhe të stafit për të qenë të përqendruar te çdo kundërshtar. Te Shqipëria, Iordanescu vlerësoi edhe kolegun Gianni De Biasi, si një trajner të talentuar dhe me mjaft eksperiencë.
Drejtuesi i stolit rumun zbuloi edhe objektivin minimal të skuadrës së tij në evenimentin në Francë, që është kalimi i fazës së grupeve, duke u shprehur se synojnë të fitojnë çdo ndeshje, ndërsa vlerësoi Francën si skuadrën favorite për të marrë trofeun.
Shqipëria dhe Rumania do të ndeshen në Stade de Lyon, më 19 qershor, në orën 21:00, në sfidën e fundit të fazës me grupe, që mund të jetë vendimtare për ecurinë e skuadrave në Euro 2016.