Befasia e Euro 2016

Në një rrëfim të gjatë për portalin e qeverisë së futbollit botëror, Shkëlzen Gashi shtoi pritshmëritë e tifozëve për kombëtaren kuqezi mbi Europianin historik të kësaj vere. Bomberi i larguar nga Basel për të provuar një aventurë të re në SHBA me Coloradon, premtoi se Shqipëria do të jetë një befasi në  Euro 2016, që nis më 10 qershor e zgjat deri më 10 korrik, e ku do jetë në grup me Francën, Rumaninë dhe Zvicrën.
“Kur mësova se do të luajmë sërish kundër Zvicrës, vetëm munda të qesh, pasi ne po presim me padurim këtë turne. Jemi vërtet në një grup shumë të fortë, por ne mund të bëjmë befasinë. Shkojmë në Francë me besim të madh, sepse luajtëm mirë në fushatën kualifikuese dhe mposhtëm ndër të tjerë edhe Portugalinë. E dimë se çfarë mund të bëjmë dhe nuk i frikësohemi askujt. Kemi luajtur dy miqësore me Francën dhe nuk kemi humbur. Ne do të japim maksimumin tonë dhe më pas do të shohim se ku do të na çojnë përpjekjet tona pas 90 minutash””, tha Shkëlzen Gashi për portalin e FIFA-s.
Bomberi me nënshtetësi zvicerane, por që zgjodhi pavarësisht joshjes nga helvetikët, të mbrojë ngjyrat kuqezi, kaloi më pas në detaje. “Kur siguruam kualifikimin ishte diçka mahnitëse dhe e papërshkrueshme. Duam që të kemi një Europian të madh. Kur mendoj sesa shumë futbollistë grumbulloi trajneri ynë gjatë eliminatoreve, mendoj se bëri një punë të admirueshme. Ne jemi gjeneratë e re që jemi rritur ose luajmë jashtë. Jemi të uritur dhe ky është sekreti i suksesit”, u shpreh Gashi.
Me kampionatin europian në derë, trajneri Gianni de Biasi nuk ka shumë kohë në dispozicion për të parë gjendjen reale të futbollistëve dhe për këtë arsye ky 90 minutësh është jetik. Numri një i stolit kuqezi duhet të kristalizojë idetë për mënyrën e lojës dhe mbi të gjitha të mendojë se kush do të jetë ekipi që do të udhëtojë drejt Francës. Miqësorja me Katarin do të përcaktojë përfundimisht dhe 23 lojtarët që do të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental.
Gjithashtu De Biasi duhet të vendosë për modulin e lojës dhe mbi të gjitha për formacionin titullar, edhe pse italiani ka treguar që nuk ka të padiskutueshëm në skuadër. Nëse dilemat për portën dhe mbrojtjen nuk ekzistojnë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushën dhe sulmin. Pikërisht ndaj Katarit është rasti për të kthjelluar idetë, edhe pse kundërshtari është një emër i lehtë në letër. Në qendër të vëmendjes në këtë duel do të jetë reparti i sulmit, i cili gjatë eleminatoreve nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Pavarësisht se futbollistët si Sadiku, Cikalleshi apo Gashi po kalojnë një moment të mirë në skuadrat e tyre, në kombëtare kanë ende për të dhuruar. Duke nisur nga Katari. Në Austri, në Hartberg, miqësorja ndaj aziatikëve është po aq e rëndësishme sa dhe vetë europiani.