Merkato, Munich 1860 interesohet për Naser Alijin

Me hapjen e merkatos së verës kanë filluar dhe sinjalet e para për futbollistët kuqezinj sa i përket shitjeve apo blerjeve në verë. Naser Aliji, 22-vjeçari i mbrojtjes së Kombëtares ka përfunduar nën shënjestrën e gjermanëve të Munich 1860, që kanë shfaqur interes për blerjen e tij. Sipas asaj që raportojnë mediat zvicerane, klubi gjerman ka përcjellë nga afër falë menaxherëve të saj paraqitjen e Alijit në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe kërkon që të sigurojë shërbimet e tij për sezonin e ardhshëm. Aliji, ju bashkua vetëm këtë të enjte, kombëtares shqiptare në grumbullimin e saj në Austri dhe për momentin është i përqendruar te Europiani, por menaxhet e Munich 1860 sipas asaj që shkruhet në Zvicër janë të gatshëm të këmbëngulin për blerjen e 22-vjeçarit. Ende nuk ka një lëvizje konkrete, por nën këtë rast duhet marrë parasysh dhe dëshira e lojtarit, pasi është e vërtetë që Munich 1860 është klub me emër në Gjermani, por prej disa vitesh luan në Bundesligën e dytë dhe një largim nga Baseli, kampion i Zvicrës mund të ishte një lëvizje e guximshme. Aktualisht te Munich 1860 luan dhe Valdet Rama, por që me shumë mundësi do të largohet gjatë kësaj merkato vere.