Mediu: Qeveria po kërkon që pronarët e ligjshëm t’i bëjë të paligjshëm

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka kundërshtuar fort në fjalën e tij në Kuvend, ligjin e propozuar nga qeveria për Pronat Bujqësore. Sipas tij, kjo është një tjetër goditje e rëndë që ju jepet pronarëve shqiptarë, pas Ligjit skandaloz 7501. Ai theksoi se me anë të këtij ligji qeveria po kërkon që pronarët e ligjshëm t’i bëjë të paligjshëm, në mënyrë që pronat t’i marrin ata që si kanë pasur asnjëherë, duke bërë pronarë jo-pronarët. “Keni vendosur me zor të ligjshmit t`i bëni të paligjshëm dhe të paligjshmit të ligjshëm. Akoma më keq me fermat bujqësore. Ligji më skandaloz. Në fillim këto toka që ishin tokat afër qyteteve, u dhanë në përdorim (sot zhvillimi urban e industrial) rreth 120 mijë ha. Kush i mori: Drejtorët e fermave që jetonin në qytet. Specialistët e fermave dhe instituteve që jetonin në qytet (sot e dje deputet, ministra, drejtorë). Shoferët dhe administratat që punonin në qytet. Më tej jua dhatë në Pronësi dhe sot doni t`i legalizoni me ligj. Sipas këtij parimi: Çdo mjek duhet të merrte ç`i takonte, Çdo naftëtari  – një pus nafte, Çdo veterineri – lopa apo viçi, Kjo është e turpshme. Kryeministri tha se kemi bërë një ligj për pronat pragmatiste. Po e drejta ku është? Për mua është një ligj Antieuropian – Antikushtetues– Antikombëtar. Kërkon të varrosë përfundimisht të drejtën e pronës. Kërkon të vendosë shtet dhe pushtetin mbi të drejtat e qytetarëve. Nëse doni prona fizike që t`ja ktheni pronarëve, minimalisht hiqjani atyre që nuk kanë zbatuar Ligjin famëkeq 7501 dhe jo t’i zgjasni afatet. Hiqjani atyre drejtorëve, shoferëve, deputetëve që s`kanë asnjë lidhje me fermat bujqësore, dhe kështu mund të përfitohen rreth 40 mijë ha për t`ja kthyer pronarëve dhe të cilët kostoja financiare që e paguajnë shqiptarët. Pronarëve i thoni ka mbaruar afati për aplikim dhe nuk prisni përgjigjen e GJYKATES KUSHTETUESE. Jemi i vetmi vend ku prona është bërë pengesë për investime. Jemi i vetmi vend ku hajdutëria ligjërohet dhe e drejta përbuzet dhe deligjitimohet. Jemi i vetmi vend që ka 8 mijë viktima dhe vazhdon, për konflikte pronësie. Jemi i vetmi vend ku kryeministri u bën thirrje biznesmenëve të rrethojnë Gjykatat për padrejtësitë që u ka bërë qeveria. Jemi i vetmi vend që Bashkia rrethon Gjykatën, Policia nuk pranon Prokurorinë dhe Shteti nuk pyet për Gjykatën Kushtetuese. Jemi i vetmi vend ku me krenari deklarohet se hajdutët janë me ne, ligjërohen e drejtojnë dhe; Qytetarët janë nën këmbët e Shtetit dhe Pushtetit, injorohen dhe shkatërrohen. Kjo është një histori nga më të turpshmet e këtij shteti që nuk mund të vazhdojë me ligje të tilla. Këto kanë vetëm një produkt: Padrejtësi+Varfëri= Pushtet absolut = Korrupsion Absolut”