Jose Mourinho zyrtarisht trajneri i Manchester United

Mungonte vetëm zyrtarizimi, por tashmë edhe ai ka ardhur. Jose Mourinho është trajneri i ri Manchester United. Pas disa muajve pushim, pas largimit nga Chelsea, Special One rikthehet në stolin e një skuadre dhe e bën këtë te Djajtë Kuq, klubi të cilin ai ka ëndërruar gjithmonë ta drejtojë. Portugezi ka firmosur një kontratë që do ta lidhë me Manchester United për 3 sezonet e ardhshme, nga e cila do të përfitojë në total 45 milionë paund. Për të rikthyer United në majat e futbollit anglez dhe atij europian drejtuesit e klubit do t’i vendosin në dipozicion Mourinhos, një buxhet prej 200 milionë Eurosh për merkaton e ardhshme.
Që prej vitit 2003, trajneri luzitan ka fituar 22 trofe në karrierë dhe kjo ishte një arsye e fortë që presidenca e United i besoi atij drejtimin e klubit nga “Old Trafford”. Pasi hodhi firmën mbi kontratë 53-vjeçari pozoi me fanellën e skuadrës së tij të re, ndërkohë që për kalimin e Mourinhos te Djajtë Kuq foli zëvendëspresidenti i klubit Ed Woodward, i cili për faqen e United në internet nënvizoi: Jose është thjeshtë, trajneri më i mirë në futbollin e sotëm.
Ai ka bërë mirë kudo ku ka shkuar, por mbi të gjitha e njeh shumë Premier League-n, pasi ka fituar tituj këtu. Ne si klub vendosëm t’i japim atij këtë mundësi dhe i urojmë mirëseardhjen te Manchester United.  Vetë Mourinho, ndërkohë deklaroi se ndihet krenar dhe i nderuar që është bërë pjesë e një klubi legjendar si Manchester United. Djajtë e Kuq janë një skuadër që admirohen në të gjithë botën dhe unë gjithmonë kam ëndërruar të jem në drejtimin e këtij ekipi, shtoi në përfundim Special One.