HEC-et private do të shesin energjinë OSHEE-së

Kompania KESH dhe OSHEE kanë aplikuar në Entin Rregullator të Energjisë për një riformatim të kostove, për shkak se tashmë energjia që prodhohet nga privat me koncesion nuk do të blihet më nga KESH si deri më tani, por OSHEE.
Vendimi për këtë transferim është marrë pak ditë më parë nga Enti Rregullator. Vitin që shkoi energjia e prodhuar nga HEC-et e vogla kishte një vlerë tregu rreth 60 milionë euro dhe tani do t’i shitet direkt operatorit të shpërndarjes, duke anashkaluar kostot që krijon procesi i shitjes fillimisht të KESH, pastaj të OSHE dhe më pas te konsumatorët final.
Sipas vendimit të mëparshme të Entit Rregullator, OSHEE duhet të nënshkruajë një kontratë për blerjen e Energjisë Elektrike me Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike në zbatim të VKM nr.244 date 30.03.2016 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit transmetimi, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. ERE do të përcaktojë çmimin e shitjes se Energjisë Elektrike për Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike.
Punonjësi i impiantit përkatës do t`i vë në dispozicion përfaqësuesve të OSHEE, si dhe regjistrin e leximit të matësit se Energjisë Elektrike dhe do t`i krijojë aksesin e nevojshëm për të kontrolluar Sistemin e Matjes.
Kjo kontratë do të jetë në fuqi për një periudhe 15 (pesëmbëdhjetë) vjeçare. Për subjektet që kanë një kontrate të shitblerjes së energjisë elektrike me KESH në kohen e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate.

Sektori i Energjisë dhe Transportit dominojnë 36% të borxhit të jashtëm

Sektorët e transportit, energjisë dhe buxheti i shtetit janë kredimarrësit më të mëdhenj në tregun e jashtëm. Në fund të tremujorit të parë të vitit borxhi i jashtëm i vendit arriti në 5 miliardë euro. Rreth 36 për qind e kësaj shume ka shkuar si mbështetje për buxhetin e shtetit, për të mbuluar shpenzimet që nuk janë mbuluar nga të ardhurat. Pjesa tjetër prej 24 për qind e detyrimeve të jashtme dominohen nga sektori i transportit. Këto hua, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, janë marrë në dy dekadat e fundit për hartimin e projekteve dhe ndërtimin e rrugëve nacionale në vend. Pjesa më e madhe e huasë mbi 300 milionë euro është marrë për ndërtimin e rrugës së Kombit. Huamarrësi i tretë më i madhe është sektori i energjisë me 12 për qind të totalit të borxhit. Huatë e dhëna për zhvillimin infrastrukturor dhe strukturor të sektorit, duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Aktualisht sektori energjetik në vend vuan pasojat e një administrimi të dobët dhe asetet tërësisht të amortizuara. Detyrimet e sektorit sipas të dhënave të Ministrisë së Energjetikës arrijnë 1 miliardë dollarë. Teksa shihet se dy sektorët jetikë arsimi dhe shëndetësia kanë kontribut më të ulët. Arsimi mbart vetëm 1.4 për qind të borxhit të jashtëm, ndërsa shëndetësia 2.1 për qind. Që nga viti 2015 dhe përgjatë këtij viti vlerat neto ndërmjet borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm janë ngushtuar ndjeshëm. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti borxhi i jashtëm shënoi 556 miliardë lekë, ndërsa borxhi i brendshëm 502 miliardë lekë.