Deschamps hedh në gjyq Eric Cantona

Polemika te Franca, kur mbeten 2 javë nga fillimi i kampionatit europian. Trajneri i përfaqësueses së gjelave Didier Deschamps nëpërmjet avokatit të tij ka vendosur të hedhë në gjyq një legjendë të futbollit francez siç është Eric Cantona. E gjithë kjo çështje ka të bëjë me faktin se ish-lojtari i Manchester United ka dalë kundër Deschamps, duke e kritikuar këtë të fundit se ka lënë jashtë Euro 2016-të, dy lojtarë fantastikë si Karim Benzema dhe Hatem Ben Arfa për shkak të etnisë së tyre. Sulmuesi i Realit të Madridit është me origjinë algjeriane, ndërsa ai i Nice me origjinë tuniziane.
Pak ditë më parë, Eric Cantona deklaroi për mediat se, Deschamps nuk i ka grumbulluar këta dy lojtarë në Europian, pasi nuk i cilëson aq francez sa duhet për të qenë pjesë e kombëtares. Por këto deklarata të 50-vjeçarit nga Marseille nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit të Francës, i cili nëpërmjet avokatit të tij ka vendosur ta çojë në gjyq Eric Cantona-në. Carlos Bursa, avokati i Didier Deschamps në një intervistë për mediat i quajti krejtësisht të pabaza dhe shpifëse deklaratat e Cantona. Franca që do të jetë edhe një nga tre skuadrat kundërshtare të Shqipërisë në Euro 2016, prej disa ditësh ka bërë publike listën prej 23 futbollistësh. Nga emrat e përzgjedhur Karim Benzema ka mbetur jashtë, pasi futbollisti i Realit të Madridit është shndërruar në një çështje shtetërore pas publikimit të skandalit me videon e nxehtë të Mathiew Valbuenas. Përsa i përket Ben Arfa sezoni fantastik që zhvilloi me Nice në Ligue 1 gjatë të cilit shënoi dhe 17 gola nuk i ka mjaftuar 29-vjeçarit për të qenë në zgjedhjet e Deschamps.