Berisha, i shkëlqyer

Pas seancës stërvitore që zgjati 70 minuta, stafi teknik organizoi një ndeshje kontrolli në minutat e fundit të përgatitjeve. Për herë të parë prej grumbullimit, loja është zhvilluar 11 kundër 11. Në ekipin e parë, në portë qëndronte Berisha, mbrojtja përbëhej nga Hysaj, Ajeti, Mavraj e Aliji. Roshi, Lila, Basha e Lenjani luanin në mesfushë, ndërsa Gashi dhe Cikalleshi përbënin dyshen e sulmit. Në anën tjetër, përpara portierit Shehi u rreshtuan Agolli, Gjimshiti, Cana e Rrahmani në mbrojtje. Mesfusha përbëhej nga Rashica, Abrashi, Xhaka e Shala, ndërsa në sulm luanin Sadiku e Balaj. Duke vlerësuar intensitetin e stërvitjeve të ditëve të para të grumbullimit dhe lodhjen e fundsezonit që ndihet në këmbët e lojtarëve, stafi teknik vendosi të ulë disi ngarkesën.
Gjatë ndeshjes së kontrollit, De Biasi qëndroi në mesin e fushës, në rolin e mbikëqyrësit. Memushaj dhe Hoxha qëndruan pushim, ndërsa aktivizimi i Amir Abrashit konfirmoi deklaratën e stafit mjekësor të Kombëtares, që pas kontrolleve njoftoi se mesfushori i Freiburg po kalon problemet në gju dhe në shpatull, me të cilat u paraqit në grumbullim. Një duel mjaft interesant i ndeshjes ishte ai ndërmjet dy talentëve kuqezi, mesfushorit Milot Rashica dhe mbrojtësit Elseid Hysaj. Momentet e bukura nuk munguan, me protagonist portierin Etrit Berisha që realizoi dy pritje të shkëlqyera, duke i mohuar golin Sadikut dhe Shalës.
Në anën tjetër, Shkëlzen Gashi shfaqi të gjithë klasin përpara portës. Një gol i bukur, në një ndeshje ku rezultati ishte detaji që kishte më pak rëndësi. Kjo për faktin se vëmendja u përqendra te taktika dhe lëvizjet në fushë, me Tramezzanin që vazhdoi konsultimet me dy sulmuesit Gashi dhe Cikalleshi. Konsultat e numrit 2 të stolit kuqezi vazhduan edhe me Lorik Canën, që nuk është thjesht një lider, por edhe ura lidhëse e stafit teknik me skuadrën. Vazhdimisht gjatë stërvitjes taktike dhe ndeshjes miqësore, kapiteni i kërkoi shokëve të repartit difensiv të evitohen gabimet elementare, si ato që e ndëshkuan Kombëtaren në miqësoren e marsit ndaj Austrisë.
Kjo ishte arsyeja përse përgatitjet taktike nisën nga situatat më të thjeshta, për të vazhduar me episode komplekse të lojës. Gabimet, edhe ato më elementaret në Euro 2016 mund të rezultojnë fatale. Në rastin e Shqipërisë, janë të palejueshme.
“Shkëlzen Gashi për të pushtuar zemrat amerikane”, është ky titulli që i kushton faqja zyrtare e FIFA-s sulmuesit të kombëtares shqiptare. 27-vjeçari, i cili në merkaton e dimrit la Baselin për t’u transferuar te Colorado Rapids në Major League Soccer, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumë pak kohë është shndërruar në një personazh shumë të dashur nga tifozët përtej Atlantikut. Historia e Gashit, i cili aktualisht është i impenjuar me kombëtaren kuqezi në përgatitjet për Euro 2016-të, ka tërhequr vëmendjen e qeverisë së futbollit Botëror, me FIFA-n që në faqen e saj zyrtare i ka kushtuar një artikull të gjatë sulmuesit shqiptar.
Në shkrimin e saj, FIFA citon edhe fjalët e Gashit pas intervistës që ka kryer me të. “Jam një fans i madh i Shteteve të Bashkura dhe shpesh shkoja me pushime aty, kështu që sapo m’u dha mundësia të jem pjesë e kampionatit amerikan nuk u mendova dy herë shprehet, sulmuesi i kombëtares. Më pas, Shkëlzen Gashi ndalet te kampionati europian, një kompeticion, të cilin mezi po pret ta luajë. Ndeshja ndaj Zvicrës është speciale për shumë prej nesh deklaron 27-vjeçari për FIFA-n, duke nënvizuar faktin se disa lojtarë të kombëtares kuqezi janë rritur si futbollistë në atë vend duan t’i shkaktojnë një surprizë të hidhur përfaqësueses helvete. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë në këtë eveniment”, citon më tej Gashi. Ai shton gjithashtu se kombëtarja shqiptare përbëhet në një masë të madhe nga një brez i ri i futbollistësh, të cilët janë shumë të uritur për të arritur suksese akoma edhe më të mëdha.